Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar një protestë kombëtare ditën e shtunë, të cilën e ka cilësuar si më të madhën e zhvilluar në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve që prej ditësh protestojnë në Shqipëri.
Në një deklaratë për mediat, Berisha hodhi poshtë pretendimet se përfshirja e opozitës mund të dëmtojë lëvizjen e të rinjve, duke këmbëngulur se Partia Demokratike po kontribuon në mbështetjen e saj.
“E shtuna është dita e protestës më të madhe kombëtare e thirrur në mbështetje të protestës studentore dhe gjimnazistëve”, deklaroi kreu i PD-së.
I pyetur për distancimin e studentëve nga partitë politike dhe argumentin se opozita nuk e kontrollon dot protestën, Berisha reagoi ashpër ndaj kritikëve. Ai i cilësoi ata që krahasojnë opozitën me pushtetin si “puthadorë të Edi Ramës”, duke argumentuar se roli i opozitës nuk mund të barazohet me atë të qeverisë.
Gjatë deklaratës, kreu i demokratëve kundërshtoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, paraqiten zgjedhjet dhe përgjegjësia e opozitës për rezultatin e tyre. Berisha i cilësoi zgjedhjet e fundit si “farsë”, duke mohuar se PD-ja i ka humbur ato në kushte normale konkurrimi.
Ai u bëri thirrje gazetarëve të verifikojnë rolin e Partisë Demokratike dhe forumeve të saj rinore në bojkotet e zhvilluara në rrethe, ndërsa përsëriti se opozita do të vijojë të mbështesë protestuesit.
