Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, deklaroi në Forumin e Sigurisë në Varshavë se Aleanca është e gatshme t’i përgjigjet menjëherë çdo sulmi.
“Nëse dikush është aq budalla sa të na sulmojë, ne do të luftojmë”, u shpreh Grynkewich, duke theksuar se NATO është “e gatshme të luftojë sonte” në rast të një sulmi.
Megjithatë, gjenerali amerikan nënvizoi se nuk beson që një konflikt është i afërt apo i pashmangshëm. Ai nuk e përmendi drejtpërdrejt Rusinë, ndërsa NATO ka shprehur vazhdimisht shqetësimin për kërcënimet që vijnë nga Moska.
Gjatë fjalës së tij, Grynkewich shpjegoi se përgjigjja e Aleancës ndaj një sulmi do të synonte fillimisht ndalimin e forcave kundërshtare, dobësimin e ofensivës dhe më pas mposhtjen e armikut.
Ai theksoi gjithashtu se NATO ka kapacitetin për të reaguar me forcë dhe për t’u përballur me çdo kundërshtar që përshkallëzon konfliktin.
Sipas tij, një Aleancë e bashkuar, e fortë dhe e gatshme për veprim duhet t’i bëjë kundërshtarët të kuptojnë se kostoja ushtarake e përshkallëzimit do të ishte shumë e lartë.
Deklaratat e komandantit të lartë të NATO-s vijnë në një kohë kur siguria evropiane dhe forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të Aleancës janë në qendër të diskutimeve në Forumin e Sigurisë në Varshavë.
