Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj ka reaguar ashpër pas arritjes së marrëveshjes për Presidentin mes Lumir Abdixhikut dhe Albin Kurtit.
Gecaj përmes një postimi në Facebook, vlerësoi se me këtë marrëveshje LDK-ja po shkon drejt humnerës, duke theksuar se Kurtit i duhet një fajtor para zgjedhjeve të 27 dhjetorit.
“Unë nuk mund ta shoh partinë për të cilën kam kontribuar 37 vite duke shkuar drejt humnerës dhe për këtë t’i bëj sehir.
Zgjedhjet humben dhe fitohen, por partitë historike, kur humbin shpirtin, nuk rikthehen lehtë”, shkroi Bajrami.
Kësisoj, Gecaj shtoi se kështu “po rrezikojmë t’i japim Kurtit edhe katër vite të tjera, pa asnjë balancë politike, pa fituar bash asgjë për LDK-në dhe me një hiq të madh për Kosovën”.
Postimi i plotë:
KUR HUMB SHPIRTI, HUMB PARTIA …
E kam thënë dhe vazhdoj ta besoj fuqishëm se Kurti i do zgjedhjet më 27 dhjetor. Por para zgjedhjeve i duhet një fajtor. Dhe fajtorin e ka gjetë tek LDK-ja. Rreziku më i madh, megjithatë, nuk është vetëm Kurti. Rreziku është kur ne vetë ia përgatisim terrenin, veçanërisht atëherë kur brenda LDK-së përgatiten për të gjetur fajtorë po brenda LDK-së, vetëm për të shpëtuar lëkurën e vet. Një parti nuk vdes kur humb vota. Vdes kur humb shpirtin. Kur mendimi ndryshe shpallet pengesë, kur kritika trajtohet si armiqësi dhe kur synimi bëhet jo një parti e madhe, por një parti e bindur: “e vogël, e vogël, por e imja.”
Kur ia dha votën për presidente personit që e kishte dëmtuar partinë në përmasa të jashtëzakonshme, e arsyetova. Besoja se LDK-së i duhej kohë për t’u konsoliduar dhe për t’u përgatitur për përballjen vendimtare me Kurtin. Por koha kaloi. Përballja nuk erdhi. Konsolidimi nuk ndodhi. Përkundrazi, u dobësuam edhe më shumë.
E tani po rrezikojmë t’i japim Kurtit edhe katër vite të tjera, pa asnjë balancë politike, pa fituar bash asgjë për LDK-në dhe me një hiq të madh për Kosovën. Katër vite janë shumë. Mjaftojnë që një parti historike të reduktohet në një logo, një zyrë dhe disa njerëz rreth një tavoline. Mjaftojnë që LDK-ja të mbetet vetëm emri i asaj që dikur ishte. Prandaj, heshtja në një moment të tillë nuk është lojalitet. Është bashkëpërgjegjësi. Unë nuk mund ta shoh partinë për të cilën kam kontribuar 37 vite duke shkuar drejt humnerës dhe për këtë t’i bëj sehir.
Zgjedhjet humben dhe fitohen, por partitë historike, kur humbin shpirtin, nuk rikthehen lehtë.
P.S. Bekim Sejdiu është vetëm viktimë e rastit në këtë debat. Për të kam respekt të veçantë.
