Një tren eksperimental maglev në Kinë ka thyer rekordin botëror të përshpejtimit duke arritur shpejtësinë nga zero në 800 kilometra në orë brenda vetëm 5.3 sekondave. Testi i suksesshëm u krye në një pistë të specializuar njëkilometërshe në Laboratorin Donghu, në provincën Hubei, duke shënuar një arritje madhore në teknologjinë e shtytjes elektromagnetike.
Mjeti eksperimental me peshë 1.1 ton jo vetëm që arriti shpejtësinë rekord, por demonstroi edhe efikasitetin e sistemeve të avancuara të frenimit. Pas arritjes së pikës maksimale prej 800 km/h, treni erdhi në një ndalje të plotë dhe të kontrolluar brenda një distance prej rreth 200 metrash. Kjo është hera e tretë brenda gjashtë muajsh që ky prototip thyen rekordin e vet. Testimet kishin nisur në qershor të vitit 2025, kur mjeti arriti 650 km/h në 7 sekonda, për të vijuar më pas me thyerjen e njëpasnjëshme të rekordeve në 700 km/h dhe 798 km/h përmes përmirësimit të kohës së reagimit.
Trenat maglev (me levitacion magnetik) përdorin forca magnetike për ta ngritur mjetin mbi shina, duke eliminuar tërësisht fërkimin, ndërsa valët elektromagnetike e shtyjnë atë përpara. Gjatë këtij testi, kërkuesit shtynë në kufijtë teknikë disa sisteme kritike, përfshirë furnizimin me energji elektrike të fuqisë së lartë, kontrollin e stabilizimit të levitacionit në shpejtësi ekstreme, si dhe frenimin e emergjencës.
Për krahasim, trenat maglev që operojnë sot komercialisht në Kinë dhe Japoni lëvizin me shpejtësi rreth 320 deri në 431 km/h, ndërsa treni tradicional më i shpejtë në linjë të rregullt është Fuxing në Kinë, me 350 km/h.
Kjo teknologji nuk është projektuar aktualisht për transportimin e udhëtarëve, pasi forca e përshpejtimit prej 0 në 800 km/h për 5 sekonda krijon mbingarkesë që trupi i njeriut nuk mund ta përballojë pa pasur pasoja shëndetësore. Për këtë arsye, shkencëtarët kinezë synojnë që këto parime fizike t’i zbatojnë kryesisht për sisteme ushtarake dhe hapësinore — si lëshimi i shpejtë i raketave apo katapultimi i avionëve luftarakë — si dhe për zhvillimin e trenave ultra të shpejtë që udhëtojnë brenda tubave me vakum për të minimizuar rezistencën e ajrit. Sfidat kryesore për aplikimin e kësaj teknologjie në shkallë të gjerë mbeten kostot tepër të larta të infrastrukturës, siguria e udhëtarëve dhe nevoja për linja me precizion milimetrik mbi distanca të gjata./Korrespodenti
