Murlan Beqiraj vjen me projektin e ri „Trimat e Dardanisë“

Kur rrahet tupani dhe ushton çiftelia nëpër rrafshnaltat e historisë, folklori ynë nuk sjell thjesht meloditë e traditës, por kthehet në një manifest të fuqishëm të mbijetesës dhe dinjitetit kombëtar. E tillë është edhe kjo perlë e re muzikore, një këngë me motive të pastra patriotike, e cila vjen si një thirrje zgjimi për kohët moderne.

​E rrahur në penën e historisë dhe e veshur me petkun e artit, kjo vepër merr jetë përmes zërit të Nusret Pllanës, i njohur historikisht si personazh dhe zëri emblemë i “Radio Kosova e Lirë”. Çdo fjalë e tija mbart peshën e qëndresës, ndërsa interpretimi mjeshtëror i Murlan Beqirajt i jep këngës frymëmarrjen epike dhe shpirtërore që prek telat e çdo shqiptari. Orkestrimi magjik i Vedat Lushtakut ka thurur një veshje muzikore ku tradita komunikon me modernen, duke ruajtur me xhelozi aromën e pastër të folklorit tonë burimor.

​Vazhdimësia e këtij marshimi artistik godet drejt e në një nga plagët më të ndjeshme të shoqërisë së sotme: mbrojtjen e gjuhës shqipe. Kënga ngre zërin fuqishëm kundër barbarizmave dhe fjalëve të huaja që, dita-ditës dhe pa trokitur fare, po zënë vend e po kthehen në “normale” në fjalorin tonë të përditshëm. Ajo vjen si një thirrje kushtruese për t’u kthyer tek rrënjët tona iliro-dardane, aty ku mikpritja dhe përshëndetja e ngrohtë thuhen vetëm në gjuhën e nënës.

​Mesazhi i saj mbetet i qartë, i prerë dhe mjaft aktual për rrugëtimin tonë kombëtar. Përmes këtij projekti, artistët na kujtojnë se ka ardhur koha të mbushemi me mend dhe ta pastrojmë komunikimin tonë, sepse vetëm duke ruajtur një identitet të pacenuar dhe gjuhën e pastër të Kastriotit, mund të ecim me dinjitet përpara drejt familjes europiane.

​Për t’i dhënë kësaj kryevepre folklorike edhe anën vizuale që meriton, është kujdesur Arianit Selmonaj Photography, i cili përmes xhirimeve dhe montazhit profesional ka arritur të dokumentojë me mjeshtëri çdo emocion dhe peizazh të Deçanit të kuvendeve, që përkon aq bukur me shpirtin e këngës.
​Ky nuk është thjesht një projekt që duhet dëgjuar, por një udhërrëfyes shpirtëror që duhet jetuar nga çdo shqiptar për ruajtjen e trashëgimisë sonë më të shtrenjtë.

Për më shumë, shikojeni videon më poshtë:

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME