AKADEMIK PROF. DR. ANASTAS ANGJELI
SI FILLOI LUFTA?
Në orët e para të datës 28 shkurt 2026, qielli mbi Teheran u ndez. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndërmorën gati 900 goditje brenda vetëm 12 orësh, në atë që Uashingtoni e emërtoi Operacioni Furia Epike dhe që ishte në thelb sulmi ushtarak më i gjerë ndaj Iranit në historinë moderne. Objektivat ishin të qarta, sistemet raketore iraniane, mbrojtja ajrore, infrastruktura ushtarake, instalimet bërthamore dhe udhëheqja e vendit. Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei u vra në sulmin e parë.
Goditjet nuk erdhën rastësisht. Ato pasuan vite të tëra lufte në hije gjithnjë në eskalim, shkëmbimet e para direkte raketore Iran-Izrael në prill dhe tetor të 2024-s, një luftë 12-ditore në qershor 2025 dhe një raund i tretë negociatash bërthamore në Gjenevë, që u shemb më 26 shkurt 2026, vetëm dy ditë para se bombat të binin mbi Teheran. Edhe pasi ministri i Jashtëm i Omanit njoftoi se Irani kishte rënë dakord të reduktonte stoqet e tij bërthamore në nivelin më të ulët të mundshëm, Uashingtoni dhe Tel Avivi nuk ngurruan të nisnin sulmin.
Reagimi iranian qe i menjëhershëm dhe i gjerë. Brenda disa orësh nga goditjet e para, Teherani lançoi raketa dhe dronë nëpër rajon, duke goditur ambasadat amerikane, bazat ushtarake dhe infrastrukturën e naftës në Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Bahrejn, Kuvajt dhe Irak. Por lëvizja më e rëndësishme e Iranit nuk ishte ushtarake, por ekonomike. Irani mbylli Ngushticën e Hormuzit, korridorin 34 kilometërsh nëpër të cilin kalojnë rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm të botës.
109 DITË LUFTË, FUSHATA USHTARAKE
Gjatë javëve që pasuan, forcat amerikane dhe izraelite kryen fushata ajrore të qëndrueshme që shkatërruan pjesën më të madhe të rrjetit të mbrojtjes ajrore të Iranit, fushata të prodhimit të raketave dhe asete detare. Deri në fund të marsit, ushtria amerikane raportonte se kishte goditur mbi 10.000 objektivë brenda Iranit, duke pretenduar se kishte shkatërruar plotësisht ose pjesërisht shumicën e fabrikave iraniane të prodhimit të raketave dhe dronëve, si dhe fundosur rreth 92% të anijeve më të mëdha të flotës iraniane. Instalimet bërthamore në Fordow, Natanz dhe Isfahan u bombarduan vazhdimisht me bomba shpuese.
Rezultatet në frontin bërthamor mbetën të diskutueshme. Një raport paraprak i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes Amerikane vlerësoi se Irani kishte zhvendosur shumicën e stoqeve të uraniumit të pasuruar para goditjeve dhe se operacionet kishin vonuar kapacitetin bërthamor të Iranit vetëm për disa muaj. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, megjithatë insistoi se fushata kishte çmontuar kapacitetin e kërcënimit konvencional të Iranit.
Humbjet njerëzore dhe infrastrukturore qenë katastrofike. Mijëra njerëz u vranë në Iran, Liban, Izrael dhe shtetet arabe të Gjirit, dhe miliona të tjerë u zhvendosën. Konflikti u përhap edhe në Liban, ku forcat e lidhura me Iranin mbetën aktive gjatë gjithë luftës. Instalimet e LNG-së së Katarit u goditën nga sulmet me dronë iraniane, duke çuar jashtë funksionimit 17% të prodhimit të tyre për deri në pesë vjet.
TËRMETI EKONOMIK DHE BOTA NË ALARM
Të pakta janë konfliktet moderne që kanë ndikuar kaq shumë dhe kaq shpejt ekonominë globale. Pas goditjeve të para, çmimi i naftës Brent u rrit me 6.2%, duke tejkaluar çmimin prej 82 dollarë për fuçi.
Brenda dy javësh, ky çmim kishte shënuar rritje prej mbi 40%, nga 72 dollarë para luftës në mbi 106 dollarë. Në pikun e tij, analistët paralajmëronin se nafta mund të arrinte 200 dollarë për fuçi nëse Ngushtica mbetej e mbyllur pafundësisht. Ndërkaq, tregjet financiare u tronditën disa herë duke ngjallur pasiguri tek investitorët.
Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nuk qe vetëm krizë nafte. Ngushtica transporton rreth 13 milionë fuçi naftë bruto në ditë, pra rreth 31% të të gjithë transportit detar të naftës bruto, por edhe mbi 80 milionë ton LNG çdo vit, të barabartë me 20% të furnizimit global. Pasojat u shtrinë edhe në industri. Fabrikat kimike aziatike u mbyllën për shkak të mungesës së LNG. Çmimet e aluminit u rritën, duke kërcënuar zinxhirët e furnizimit në industrinë automobilistike, ajrore dhe në sektorin e ndërtimit dhe të shoqërive të sigurimit. Prodhimi i plehrave kimike shkoi gati në kolaps, duke rritur çmimet e ushqimeve nga Egjipti deri në Indonezi. Transporti i kontejnerëve gjithashtu u paralizua, me miliona kontejnerë të bllokuar në Gjirin Persik.
Modelimet ekonomike e kuantifikuan kërcënimin me saktësi alarmante. Një analizë e FMN-së llogariti se një mbyllje e zgjatur e Ngushticës mund të vinte në rrezik ndërmjet 330 miliardëve dhe 2.2 trilionë dollarëve të prodhimit të brendshëm bruto global, në varësi të kohëzgjatjes së konfliktit. Skenari më pesimist, ai i një luftë tre deri gjashtëmujore, parashikonte naftën Brent mbi 130 dollarë për fuçi, inflacionin global të rritej me 2.5 %, dhe ekonominë e Gjirit të tkurrej me rreth me 22%. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë e konsideroi mbylljen e Ngushticës si goditjen më të rëndë të furnizimit në historinë e tregut global të naftës. Brenda ShBA çmimi mesatar i benzinës arriti në rreth 4.25 dollarë për gallon; në Kaliforni u kalua kufiri i 6 dollarëve. Ekonomistët risollën përsëri në vëmendje fantazmën e stagflacionit.
Sidoqoftë, vlen të përmendet se goditjet në ekonomi nuk ishin të njëjta për rajone të ndryshme. Azia ishte kontinenti që mori goditjen më të rëndë: Koreja e Jugut, India, Tajlanda dhe Filipinet, ekonomi me varësi të thellë strukturore nga importet e energjisë së Gjirit, u gjetën të ekspozuara në mënyrë disproporcionale. Katari, i cili bazon eksportet e tij të gazit natyror të lëngshëm pothuajse tërësisht mbi Ngushticën e Hormuzit, u përball me parashikime të FMN të cilat shkonin deri në një tkurrje të GDP me 9% vetëm gjatë vitit 2026. Rritja ekonomike e rajonit në tërësi u parashikua të ulej me mbi gjysmën e vlerës së pritur. Ndërkohë, vende të tjera si ShBA, Kanadaja, Brazili dhe Kazakistani, reaguan shpejt për të rritur prodhimin e brendshëm, duke shfrytëzuar vakumin e krijuar nga mungesa i naftës iraniane dhe arabe nga tregjet ndërkombëtare.
MARRËVESHJA KUADËR ME 14 PIKA
Pas 109 ditësh lufte, lodhja qe reciproke dhe dukej se nëpërmjet luftës do arrihej te paqja. Më 14 qershor 2026, Uashingtoni dhe Teherani njoftuan se kishin arritur një marrëveshje të ndërmjetme, ndërmjetësuar kryesisht nga Pakistani dhe Katari. Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua elektronikisht më 16 qershor, me një ceremoni zyrtare të planifikuar në Gjenevë, Zvicër, më 19 qershor.
14 pikat e Memorandumit (që janë publikuar në mediat kryesore ndërkombëtare sot) janë në thelb një udhërrëfyes me faza dhe me kushte, jo një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Pikat kryesore janë si më poshtë:
1. Armëpushim i menjëhershëm. Të dyja palët zotohen për ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të të gjitha veprimeve armiqësore në çdo front, përfshirë Libanin.
2. Respektimi i sovranitetit. SHBA dhe Irani njohim reciprokisht sovranitetin e njëri-tjetrit dhe zotohen të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të palës tjetër.
3. Dritare 60-ditore negociatash. Palët kanë 60 ditë për të negociuar dhe finalizuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme, me mundësi zgjatjeje me marrëveshje të ndërsjellë.
4. Heqja e bllokadës detare amerikane. SHBA do të heqë bllokadën detare ndaj Iranit brenda 30 ditëve dhe do të tërheqë forcat ushtarake nga zonat ngjitur brenda 30 ditëve pas marrëveshjes finale.
5. Rihapja e Ngushticës së Hormuzit. Irani do të rihapë Ngushticën dhe do të sigurojë kthimin e lundrimit tregtar në nivelet para-luftës brenda 30 ditëve, duke përfshirë pastrimin e minave detare.
6. Fondi i rindërtimit prej 300 miliardë dollarësh. SHBA dhe partnerët rajonalë do të zhvillojnë një plan financimi prej të paktën 300 miliardë dollarësh për rehabilitimin ekonomik dhe infrastrukturor të Iranit.
7. Heqja e sanksioneve. Të gjitha sanksionet ndaj Iranit, përfshirë ato të OKBsë, IAEA-s dhe SHBA do të hiqen sipas një kalendari që do të përcaktohet në marrëveshjen finale.
8. Zotimi bërthamor i Iranit. Irani riafirmon se nuk do të ndjekë zhvillimin e armëve bërthamore, ndërsa fati i materialeve të pasuruara shtyhet për negociatat e ardhshme.
9. Status quo bërthamor gjatë negociatave. Gjatë periudhës 60-ditore, Irani ruan programin bërthamor ashtu siç është dhe SHBA nuk imponon sanksione të reja e as nuk ndërmerr ndonjë eskaladim ushtarak.
10. Përjashtim i menjëhershëm nga sanksionet për naftën. SHBA lëshon menjëherë përjashtime që i lejojnë Iranit të eksportojë naftë bruto, petrokimikate dhe shërbime të lidhura me to gjatë armëpushimit.
11. Lirimi i aseteve të ngrira. Asetet e ngrira iraniane do të lirohen dhe Irani do të ketë akses të plotë në to, së bashku me lejet e nevojshme për transferime financiare.
12. Mekanizëm zbatimi. Do të krijohet një strukturë e posaçme mbikëqyrëse për të monitoruar dhe garantuar zbatimin e marrëveshjes finale.
13. Pas nënshkrimit, SHBA dhe Irani do të hyjnë në negociata mbi pikat e mbetura pasi secila palë të marrë garancitë e kërkuara mbi pika specifike.
14. Rezolutë e detyrueshme e OKB. Marrëveshja gjithëpërfshirëse finale duhet ratifikuar nëpërmjet një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara..
E ARDHMJA, “NJË BAST 60-DITOR”
Memorandumi është një dokument armëpushimi dhe jo një traktat paqeje. Pak kush beson se mund të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse brenda 60 ditëve, dhe edhe sikur të arrihet, asgjë nuk garanton që lufta dhe paqëndrueshmëria të mos kthehen. Marrëveshja parashikon vetëm që Irani të hapë Ngushticën, duke lënë jashtë zgjidhjes një sërë detajesh teknike dhe politike me peshë.
Çështja më e vështirë mbetet ajo që Memorandumi e shmang me kujdes, pra programi bërthamor iranian. Irani zotëron rreth 440 kg uranium të pasuruar deri në 60%, një sasi që tejkalon ndjeshëm pragun teknik për prodhimin e armës bërthamore. Uashingtoni kërkon çmontimin e plotë të infrastrukturës së pasurimit në Fordow, Natanz dhe Isfahan, si dhe dorëzimin e të gjithë materialit të pasuruar. Teherani, nga ana e tij, ka treguar gatishmëri vetëm për hollimin e stoqeve brenda territorit të vet, duke qëndruar larg çarmatimit të plotë. Zyrtarët iranianë kanë qenë të hapur dhe dokumenti i nënshkruar nuk përmban asnjë marrëveshje bërthamore të finalizuar.
Edhe rihapja e Ngushticës është më e komplikuar se sa duket. Operatorët ndërkombëtarë të anijeve kërkojnë garanci të qarta mbi pastrimin e minave para se të autorizojnë transitin e flotave të tyre. Ekspertët vlerësojnë se mund të duhen deri dy javë që lundrimi tregtar të rritet ndjeshëm pas nënshkrimit. Edhe në skenarin më optimist, çmimi i naftës Brent pritet të ulet gradualisht drejt 80 dollarëve për fuçi deri në fund të vitit 2026 dhe rreth 65 dollarëve në 2027, ndërsa tregu i naftës të kthehet ngadalë në ekuilibër. Dëmet në infrastrukturën energjetike të Iranit, instalimet e gazit natyror të lëngshëm të Katarit dhe fushat e prodhimit në shtetet e Gjirit do të kërkojnë muaj, dhe jo ditë, për t’u riparuar.
E ardhmja varet nga aftësia e të dy palëve për ta kthyer këtë memorandum në një kuadër të qëndrueshëm paqeje. Kjo është saktësisht sfida që çdo raund i mëparshëm i diplomacisë nuk ia ka arritur. Le të presim dhe të shpresojmë. Përtej diskutimeve “Cila marrëveshje është më e mirë: Ajo e Presidentit Obama në 2015 apo kjo e Presidentit Trump e tanishme”? Me e rëndësishme është që paqja të fitoi.
