Në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare, kandidatja Fitore Hulaj, e cila garon me numrin 84, ka shpalosur platformën e saj politike, e cila në qendër të vëmendjes ka zhvillimin ekonomik, reformat në arsim dhe mbështetjen sociale në nivel vendi. Me një përvojë që ndërthur menaxhimin institucional në nivel lokal, arsimin dhe aktivizmin në shoqërinë civile, Hulaj synon të jetë pjesë e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.
Sipas platformës së saj, përvoja në udhëheqjen e Drejtorisë për Ekonomi dhe Zhvillim në Komunën e Deçanit (gjatë periudhës 2018–2021) përbën bazën e ekspertizës së saj për politikat qendrore. Gjatë atij mandati, Hulaj kishte udhëhequr projekte për zhvillimin ekonomik lokal, duke shërbyer si urë lidhëse mes institucioneve dhe bizneseve, me fokus në nxitjen e investimeve dhe promovimin e turizmit si aset jetik rajonal.
Një shtyllë tjetër e rëndësishme e angazhimit të saj mbetet sektori i arsimit dhe rinisë. Për pesë vite me radhë (2021–2026), ajo ka kontribuar si mësimdhënëse e Sociologjisë, ndërsa aktualisht shërben si Këshilltare për Karrierë në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Ky kontakt i përditshëm me gjeneratat e reja, sipas kandidates, i jep asaj një qasje të qartë mbi sfidat reale me të cilat përballen familjet e sotme dhe rinia në tregun e punës.
Para angazhimit në sferën e vendimmarrjes politike, rrugëtimi i Hulajt ka kaluar përmes punës në teren në sektorin social. Ajo ka shërbyer si Zyrtare e Shërbimit Social në Qendrën për Punë Sociale në Deçan, si dhe ka menaxhuar projekte për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe rrjetëzimin e qendrave rinore përmes Organizatës Jo-Qeveritare “Mbrojë të Drejtat Tua”.
Në mesazhet e saj drejtuar elektoratit, kandidatja me numrin 84 potencon se zhvillimi i qëndrueshëm është produkt i planifikimit të saktë dhe punës së ndershme, duke premtuar se në Kuvendin e Kosovës do të jetë zëri i politikave zhvillimore, të drejtave sociale dhe krijimit të hapësirave të reja për rininë.

