Anija ruse me reaktorë bërthamorë përfundon në fund të detit, shtohen dyshimet për një ndërhyrje të SHBA-së

Një anije ruse transporti, e cila dyshohet se po transportonte dy reaktorë bërthamorë për nëndetëse, është fundosur pas një serie shpërthimesh misterioze rreth 60 milje larg brigjeve të Spanjës. Sipas një raporti të CNN, që citon një hetim ndërkombëtar, anija “Ursa Major” besohet se kishte destinacion final Korenë e Veriut.

Fundosja e anijes në rrethana ende të paqarta konsiderohet si një ndërhyrje e rrallë dhe domethënëse ndaj ndihmës bërthamore ruse për aleatin e saj kryesor, Korenë e Veriut. Anija ishte nisur vetëm dy muaj pasi lideri koreano-verior Kim Jong Un kishte dërguar trupa për të mbështetur Rusinë në luftën kundër Ukrainës.

A qëndron SHBA pas fundosjes?
Dyshimet për përfshirje amerikane janë shtuar pasi avionë amerikanë të specializuar për zbulimin e materialeve bërthamore kanë fluturuar dy herë mbi vendin ku ndodhet anija e fundosur gjatë vitit të kaluar. Të dhënat publike të fluturimeve kanë nxitur spekulime se Uashingtoni mund të ketë pasur rol në incident.

Një javë pas fundosjes, pranë rrënojave të anijes u vu re edhe një mjet që dyshohet të jetë anije spiune ruse. Më pas, sipas burimeve të afërta me hetimin spanjoll, ndodhën edhe katër shpërthime të tjera pranë vendit ku ndodhej anija.

Më 23 shkurt, qeveria spanjolle konfirmoi se kapiteni rus i anijes u kishte deklaruar hetuesve se “Ursa Major” transportonte “komponentë për dy reaktorë bërthamorë të ngjashëm me ata që përdoren në nëndetëse”. Ai shtoi se nuk kishte dijeni nëse anija mbante apo jo karburant bërthamor.

Ngjarja ndodhi në dhjetor të vitit 2024, në fund të presidencës së Joe Biden.

Çfarë dihet për “Ursa Major”?
“Ursa Major” ishte pjesë e ashtuquajturës “flota fantazmë” e Rusisë dhe po udhëtonte nga Shën Petersburgu drejt Vladivostokut përmes Detit Mesdhe. Sipas manifestit publik të anijes, ajo ishte nisur më 11 dhjetor me destinacion Lindjen e Largët të Rusisë.

Ngarkesa e saj përfshinte dy kapakë të mëdhenj industrialë, 129 kontejnerë bosh dhe dy vinça të mëdhenj të kompanisë Liebherr.

Më 23 dhjetor, sipas hetimit spanjoll, anija pësoi tre shpërthime në anën e djathtë, duke shkaktuar vdekjen e dy anëtarëve të ekuipazhit. Katërmbëdhjetë marinarët e tjerë u evakuuan me një varkë shpëtimi.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME