SHBA-ja e zgjeron praninë ushtarake në Lindjen e Mesme teksa armëpushimi me Iranin po lëkundet

Derisa armëpushimi i saj me Iranin po dobësohet, Shtetet e Bashkuara po e zgjerojnë dukshëm praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme, duke i dhënë vetes mundësinë për ta përshkallëzuar konfliktin dymujor.

Ushtria amerikane e dërgoi më 24 prill në rajon aeroplanmbajtësen e tretë sulmuese, së bashku me mijëra trupa elitare.

Ky është grumbullimi më i madh ushtarak amerikan në rajon që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003.

Armëpushimi, pasi hyri në fuqi më 8 prill, e ndali një luftë të kushtueshme që ka tronditur tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe ka përmbysur ekonominë globale.

Por, Uashingtoni dhe Teherani e kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit, ndërsa përpjekjet për të arritur marrëveshje për përfundimin e luftës kanë ngecur.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara e kanë përdorur ndërprerjen e luftimeve për t’u “rifurnizuar” dhe paralajmëroi se ushtria amerikane është “e gatshme për të vepruar”, nëse përpjekjet për paqe dështojnë.

Trump më parë ka kërcënuar se do ta shkatërrojë infrastrukturën civile të Iranit, nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Ekspertët thonë se zgjerimi i pranisë ushtarake amerikane ka dy qëllime: t’i dërgojë mesazh politik Teheranit dhe t’i japë Trumpit mundësi për ta zgjeruar shkallën e veprimeve ushtarake kundër republikës islamike.

“Synimi është të rritet besueshmëria e kërcënimeve amerikane dhe, rrjedhimisht, ndikimi i saj në bisedime”, tha Farzan Sabet, ekspert për Iranin në Institutin e Studimeve të Avancuara në Gjenevë. / REL

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME