Ekspertët ndërkombëtarë kanë ngritur alarmin për rrezikun shëndetësor që shkaktojnë ushqimet ultra të përpunuara. Në një përmbledhje globale të studimeve të botuara në “The Lancet” ata shprehen tani nevojiten veprime për të reduktuar ushqimet ultra të përpunuara (UPF) në dieta në mbarë botën.
Sipas studiuesve, mënyra se si ushqehemi po ndryshon, me një kalim nga ushqimet e freskëta dhe të plota në vakte të lira dhe shumë të përpunuara, gjë që po rrit rrezikun tonë për një sërë sëmundjesh kronike, duke përfshirë obezitetin dhe depresionin.
Studiuesit u bëjnë apel qeverive qeveritë që të “përparojnë” dhe të vendosin paralajmërime dhe taksa më të larta mbi produktet UPF, për të ndihmuar në financimin e aksesit në ushqime me vlera ushqyese.
Ushqimet ultra të përpunuara përcaktohen si ushqime që përmbajnë më shumë se pesë përbërës që nuk do t’i gjeni në dollapin e kuzhinës, siç janë emulsifikuesit, konservuesit, aditivë, ngjyruesit dhe ëmbëlsuesit, shkruan A2 CNN.
Shembuj të UPF-ve përfshijnë salçiçe, patate të skuqura, ëmbëlsira, biskota, supa të menjëhershme, pije të gazuara, akullore dhe bukë supermarketi.
Sondazhet tregojnë se këto ushqime të prodhuara industrialisht janë në rritje në dietat në të gjithë botën, duke përkeqësuar cilësinë e asaj që hamë me shumë sheqer dhe yndyrna të pashëndetshme dhe mungesë të fibrave dhe proteinave.
Ky shqyrtim i provave mbi ndikimin e UPF-ve në shëndet, i kryer nga 43 ekspertë globalë dhe i bazuar në 104 studime afatgjata, sugjeron se këto ushqime janë të lidhura me një rrezik më të madh për 12 probleme shëndetësore.
Këto përfshijnë diabetin e tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet e veshkave, depresionin dhe vdekjen e parakohshme nga çdo shkak.
Megjithatë, disa shkencëtarë thonë se ky shqyrtim nuk mund të vërtetojë që UPF-të shkaktojnë drejtpërdrejt dëme shëndetësore dhe nevojiten më shumë kërkime dhe prova për ta treguar këtë.

