Shtetet e Bashkuara po bëjnë ndryshime të mëdha në prapaskenë për të forcuar kapacitetet ushtarake, teksa rriten shqetësimet për përfshirjen e vendit në një konflikt të ri global. Presidenti Donald Trump, i cili është kthyer në Shtëpinë e Bardhë për mandatin e tij të dytë që nga janari, ka marrë vendime që kanë shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, sidomos në një kohë tensioni gjeopolitik në rritje.
Një nga vendimet më të pazakonta ishte iniciativa e tij për të rikthyer emrin historik të “Departamentit të Luftës”, duke zëvendësuar “Departamentin e Mbrojtjes”. Në gusht, Trump tha publikisht se “mbrojtja nuk mjafton” dhe se SHBA duhet të jetë gati të veprojë edhe në mënyrë ofensive nëse është e nevojshme. Një muaj më vonë, në shtator, ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv për ta bërë ndryshimin zyrtar. Ky hap ngriti frikën se administrata po përgatitet për një konflikt të mundshëm.
Këto shqetësime u thelluan kur raportime të reja zbuluan se SHBA po zgjeron ndjeshëm prodhimin e disa prej armëve më të fuqishme. Sipas Daily Mail Online, udhëheqësit ushtarakë amerikanë u kanë kërkuar kontraktorëve të dyfishojnë, madje edhe të katërfishojnë, furnizimet për sisteme specifike armatimi. Këtu përfshihen raketat interceptuese Patriot, raketat kundër-anijeve dhe bomba precize, transmeton Korrespodenti.
Megjithëse nuk dihet se me cilin shtet SHBA mund të përballet, shumë analistë besojnë se Kina mbetet skenari më i mundshëm, për shkak të tensioneve tregtare dhe shqetësimeve për një pushtim të mundshëm të saj ndaj Tajvanit. Në të njëjtën kohë, furnizimet e SHBA-së po pakësohen për shkak të mbështetjes së vazhdueshme për Ukrainën në luftën kundër Rusisë.
Administrata e Trump, përmes ligjit të miratuar në korrik dhe të quajtur “Big, Beautiful Bill”, ka ndarë rreth 25 miliardë dollarë për pesë vitet e ardhshme, vetëm për shpenzime të reja në municione. Ky fond synon të përshpejtojë prodhimin e armëve dhe të mbajë SHBA-në të përgatitur për çdo skenar.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, në një prononcim për Wall Street Journal, theksoi se “Presidenti Trump dhe Sekretari Hegseth po shqyrtojnë rrugë të jashtëzakonshme për të zgjeruar fuqinë tonë ushtarake dhe për të përshpejtuar prodhimin e municioneve”.
Lëvizjet e fundit të Uashingtonit po interpretohen nga shumë vëzhgues si një shenjë se SHBA po përgatitet seriozisht për një epokë të re konfrontimi global. Ndërsa emri “Departamenti i Luftës” rikthehet pas gati tetë dekadash dhe prodhimi i raketave shtohet me ritme të përshpejtuara, pyetja kryesore që mbetet është nëse këto masa janë vetëm një taktikë presioni ose paralajmërim i qartë për një konflikt të afërt. /Korrespodenti