Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka përkujtuar 28 vjetorin e protestës masive të studentëve më 1 tetor 1997.
Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se atë ditë pas gjashtë vitesh të kaluara pa protesta dhe demostrata, mijëra qytetarë të Kosovës iu bashkuan protestës paqësore të thirrur nga Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës.
“Si sot, 28 vite më parë, mijëra njerëz nga e tërë Kosova, u bënë bashkë në një nga demostrimet më masive të vullnetit politik të shqiptarëve në historinë moderne të Kosovës. Atë ditë, më 1 tetor 1997, pas gjashtë vitesh të kaluara pa protesta dhe demostrata, mijëra qytetarë të Kosovës iu bashkuan protestës paqësore të thirrur nga Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPSUP), kundër shtypjes, dhunës dhe segregimit të shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë”, ka thënë ai.
Po ashtu Kurti kujtoi se si studentët më 1 tetor 1997 ishin të veshur me këmisha të bardha me stemën e Universitetit të Prishtinës dhe me parulla në duar bërnin thirrje për t’u kthyer në hapësirat e fakulteteve të UP-së.
“Mijëra studentë dhe profesorë universitarë bashkë me qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës, me parulla në duar me thirrje për t’u kthyer në hapësirat e fakulteteve të UP-së, kundër shkeljeve të lirive dhe dhunimit të të drejtave të njeriut mbi baza etnike, u nisën nga lagjja Velania për në kampusin e UP-së. Por vetëm disa qindra metra më poshtë, policia dhe punëtorët e sigurimit të fshehtë të Serbisë, ndërhynë dhunshëm ndaj protestuesve paqësorë, duke i rrahur dhe arrestuar shumë prej tyre.
Përmes objektivave të kamerave të dhjetëra mediave ndërkombëtare, pamjet e protestës së 1 tetorit 1997, e kthyen Kosovën në një top lajm në mediat botërore. Me rektorin Ejup Statovci në ballë, krah për krah me shokët dhe shoqet studentë nga të gjitha fakultetet, atë ditë u kthyem në një trupë politike të admirueshme dhe të mbështetur nga pothuajse e tërë Kosova”, ka shkruar Kurti.
Ai po ashtu ka shkruar: “Protestat studentore të kthyera në demonstratat popullore, i paraprinë dhe iu bashkëngjitën luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që pasoi nga fundi i vitit 1997 deri në çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999”. /Telegrafi/