Një 31-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht pasi u rrëzua nga një lartësi prej rreth 18 mijë këmbësh në malin Nama, provinca Sichuan të Kinës. Sipas të përditshmes britanike The Sun, ai kishte zgjidhur litarin e sigurisë për të bërë fotografi në majën e mbuluar me dëborë, para se të humbiste ekuilibrin dhe të rrëshqiste në një shpat të rrezikshëm, shkruan Korrespodenti.
Pamjet e publikuara tregojnë alpinistin me veshje të kuqe malore duke rrëshqitur me shpejtësi mbi dëborë, ndërsa shokët e tij bërtasin të pafuqishëm. Ai ra mbi 200 metra dhe përfundoi në një terren shkëmbor, ku më pas u konfirmua i vdekur nga ekipet e shpëtimit.
Autoritetet vendore thanë se grupi i alpinistëve nuk kishte raportuar paraprakisht ngjitjen dhe nuk kishte marrë leje zyrtare. Menjëherë pas incidentit, policia, zyrtarët lokalë dhe ekipet e shpëtimit u dërguan në vendngjarje për të verifikuar rastin dhe për të ndihmuar familjen e viktimës.
Sipas kushëririt të tij, viktima – i identifikuar si z. Hong – ishte hera e parë që ngjitej në këtë mal. Ai kishte hequr litarin e sigurisë për t’u bërë foto shokëve, por gjatë këtij momenti, hekura e këpucëve (crampons) iu ngatërruan dhe e bënë të humbiste ekuilibrin.
Shoqata e Alpinistëve të Sichuanit sqaroi se, ndonëse ai posedonte një certifikatë si ndihmës ngjitjeje, nuk ishte udhërrëfyes profesionist, siç ishte pretenduar fillimisht në rrjetet sociale. Rasti është duke u hetuar nga policia.
The Sun kujton se ky incident ndodhi vetëm pak javë pasi një drejtues teknologjie nga Argjentina humbi jetën në një mal në Kaliforni, duke ngritur sërish shqetësime për rreziqet e alpinizmit në terrene të akullta e të pjerrëta. /Korrespodenti