Pas verës me temperatura ekstreme, situata ka ndryshuar përfundimisht që nga fundjava që e lamë pas, e cila u karakterizua me ulje të theksueshme të temperaturave dhe reshje lokale shiu.
Gjatë kësaj jave, në ditët e fundit të shtatorit, moti do të mbetet i ndryshueshëm. Të hënën pritet të mbajë me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa lokalisht mund të ketë edhe reshje të izoluara shiu.
Të martën, pas mëngjesit kryesisht të vranët, gjatë ditës do të ketë intervale të gjata me diell. Temperaturat do të lëvizin rreth 20° C.
Ditët e para të tetorit do të ndikohen nga kushte të paqëndrueshme dhe masa të ftohta ajrore nga Rusia, të cilat do të fuqizohen të enjten dhe të premten, kur edhe pritet kulmi i tyre.
Paralelisht, një ciklon i fuqishëm nga Deti Mesdhe do të lëvizë drejt Greqisë, duke sjellë reshje të dendura në Ballkanin Lindor dhe Qendror, përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Greqinë, Bullgarinë, Rumaninë, Serbinë dhe pjesërisht Shqipërinë.
Të mërkurën moti do të dominohet nga vranësirat dhe intervalet kohore me diell, me mundësi për reshje të izoluara. Në mbrëmje parashihet shtim i vranësirave dhe intensifikim i reshjeve. Temperaturat do të pësojnë ulje graduale.
Të enjten dhe të premten pritet mot i vranët dhe me reshje të dendura shiu dhe bore. Fillimisht bora do të shfaqet në zonat malore, ndërsa gjatë ditës së enjte ose të premten pritet të shtrihet edhe në disa zona të ulëta, sidomos në Rrafshin e Kosovës. Temperaturat do të mbesin pak mbi vlerat pozitive.
Si pasojë e reshjeve të dendura të enjten dhe të premten, priten edhe vërshime lokale.
Edhe dita e shtunë do të sjellë mot kryesisht të vranët dhe reshje lokale, të cilat do të ndërpriten në pjesën e parë të ditës. Temperaturat do të shënojnë një ngritje të lehtë.
Të dielën parashihet mot me diell dhe vranësira, ku temperaturat do të arrijnë mbi 10° C.
Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i veriut, ndërsa nga mesi i javës herë pas here do të forcohet me shpejtësi prej 20–50 km/h, e në zona të veçanta edhe deri në 70 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej 1 deri në 11° C, ndërsa ato maksimale prej 2 deri në 20° C. Vlerat më të ulëta pritet të regjistrohen të enjten dhe të premten. /MeteoKosova