Studimi: Edhe ekspozimi i vogël ndaj dritës gjatë gjumit mund të dëmtojë trurin dhe shëndetin mendor

Një sërë studimesh të fundit kanë treguar se edhe ekspozimi i vogël ndaj dritës gjatë gjumit mund të prishë pushimin e trurit dhe të dëmtojë shëndetin mendor. Shkencëtarët paralajmërojnë se drita nga një llambë nate, reflektimi i dritës së rrugës apo edhe ndriçimi i ekranit të telefonit mjafton për të ndërhyrë në proceset jetike që ndodhin gjatë natës.

Sipas një studimi të botuar në revistën Nature Mental Health, analizuar mbi 86 mijë persona, u pa një lidhje e qartë midis ekspozimit ndaj dritës gjatë natës dhe rrezikut më të lartë të depresionit, ankthit dhe çrregullimeve të tjera mendore, shkruan Korrespodenti.

Shkencëtarët shpjegojnë se prania e dritës pengon prodhimin e melatoninës, hormoni i gjumit, i cili është thelbësor për kalimin në gjumin e thellë dhe rigjenerues.

Një tjetër studim, i publikuar në PNAS (Proceedings of the National Academy of Sciences), tregoi se edhe një natë me ndriçim të moderuar (rreth 100 luks, sa një dritë e dobët në dhomë) ishte e mjaftueshme për të rritur frekuencën e zemrës gjatë gjumit dhe për të prishur balancën e sistemit nervor autonom. Kjo gjendje është e lidhur me lodhje ditore, ulje të përqendrimit dhe rrezik më të madh për çrregullime metabolike.

Ekspertët theksojnë se truri gjatë natës kryen disa nga funksionet më të rëndësishme: pastron toksinat, forcon kujtesën, rregullon humorin dhe rigjeneron energjinë. Ndërprerja e këtij procesi nga drita artificiale mund të ketë pasoja afatgjata, duke përfshirë lodhje kronike, rënie të imunitetit dhe përshpejtim të plakjes mendore.

Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se ende ka vend për kërkime. Disa nga studimet janë kryesisht vëzhguese dhe nuk e provojnë në mënyrë absolute se drita është shkaku direkt i çrregullimeve mendore. Faktorë të tjerë, si stresi apo përdorimi i pajisjeve elektronike para gjumit, gjithashtu ndikojnë.

Për të mbrojtur shëndetin e trurit, ekspertët rekomandojnë një ambient sa më të errët gjatë gjumit. Përdorimi i perdeve të trasha, shmangia e ekranit të telefonit në shtrat dhe fikja e çdo burimi të dritës janë hapa të thjeshtë, por të rëndësishëm, për të ruajtur gjumin cilësor dhe ekuilibrin mendor. /Korrespodenti

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME