Nën presionin e ShBA-së, Siria e Izraeli po i afrohen marrëveshjes për sigurinë

Nën trysninë e Shteteve të Bashkuara, Siria do t’i përshpejtojë bisedimet me Izraelin për një pakt të sigurisë për të cilin Damasku shpreson se do t’i kthejë prapa kapjet e fundit të territorit sirian nga Izraeli, por marrëveshja nuk do të përbënte traktat të plotë të paqes, kanë thënë burimet e afërta me këto bisedime.

Uashingtoni po bën presion që të arrihet progres i mjaftueshëm deri në kohën kur udhëheqësit do të mblidhen në Nju-Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në fund të këtij muaji në mënyrë që presidenti amerikan, Donald Trump, të mund të njoftojë një hap të madh, i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters” katër prej burimeve.

Edhe një marrëveshje modeste do të ishte arritje, thanë burimet, duke i përmendur si arsye pozicionin e ashpër të Izraelit gjatë disa muajve të bisedimeve dhe pozicionin e dobësuar të Sirisë pas gjakderdhjes sektare në pjesën jugore të vendit, e cila i ndezi thirrjet për ndarje.

Agjencia “Reuters” bisedoi me nëntë burime të afërta me këto diskutime dhe me operacionet e Izraelit në jug të Sirisë, përfshirë zyrtarë ushtarakë e politikë sirianë, dy burime të inteligjencës dhe një zyrtar izraelit.

Burimet thanë se me propozimin e Sirisë synohet që të sigurohet tërheqja e trupave izraelite nga territori i kapur muajve të fundit, të rivendoset një zonë e demilitarizuar për të cilën ishte bërë marrëveshje me armëpushimin e vitit 1974 dhe të ndërpriten sulmet ajrore dhe operacionet tokësore izraelite në Siri.

Më tej, burimet thanë se në bisedime nuk është adresuar statusi i Rrafshnaltës së Golanit, të cilën Izraeli e kapi gjatë luftës së vitit 1967. Një burim sirian i afërt me pozicionin e Damaskut tha se kjo çështje do të lihet “për të ardhmen”.

Dy vendet kanë qenë teknikisht në luftë që nga themelimi i Izraelit më 1948, pavarësisht armëpushimeve periodike. Siria nuk e njeh shtetin e Izraelit.

Pas disa muajve të avancimit brenda zonës së demilitarizuar, Izraeli hoqi dorë nga pakti i vitit 1974 më 8 dhjetor të vitit të kaluar, ditën kur përmes një ofensive të rebelëve u rrëzua nga pushteti presidenti i atëhershëm sirian, Bashar al-Assad. Izraeli sulmoi asete ushtarake siriane dhe dërgoi trupa deri 20 kilometra afër Damaskut.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME