Nga Bashkimi Evropian pret mbështetje, ndërsa disa eurodeputetë i quan “fundërrinat më të këqija”.
Fyerjet e shprehura nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili po përballet me muaj të tërë protestash masive antiqeveritare, ndezën alarmin midis institucioneve evropiane.
Ngjarjet në këtë vend, përfshirë veprimet e policisë gjatë protestave, u përshkruan si shqetësuese nga institucionet evropiane.
Disa eurodeputetë propozuan të shqyrtojnë mbështetjen e mëtejshme financiare për Serbinë – vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian – ndërsa opozita vendase i bëri thirrje BE-së që të vendosë sanksione ndaj përfaqësuesve të Qeverisë serbe, shkruan REL.
Pas kritikave, Vuçiç pranoi se ndoshta gaboi që i quajti eurodeputetët e Partisë së Gjelbër Evropiane fundërrina, duke thënë se për ta mendon “shumë më keq”.
Më 9 shtator, në Parlamentin Evropian u mbajt një diskutim për demokracinë në Serbi, i organizuar nga eurodeputetët e Socialistëve dhe Demokratëve, të grupit Rindërtojmë Evropën dhe të Gjelbrit.
Jellica Miniç, nga Lëvizja Evropiane në Serbi, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e Vuçiçit ishin tronditëse për evropianët dhe njerëzit nga institucionet evropiane.
“Është një pikë kthese që i ngriti të gjithë në BE në këmbë”, thotë ajo.
Miniç kujton se Vuçiç edhe më parë i ka ofenduar zyrtarët evropianë, por, sipas saj, tani “ka ardhur koha për të paguar çmimin” për këto deklarata.
“Besoj se tani do të fillojë llogaridhënia për gjithçka që ka ndodhur më parë”, thotë ajo.
Kriza disamujore në Serbi u shkaktua nga shembja e një strehe të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, ku, për pasojë, humbën jetën 16 persona.
Në protestat masive antiqeveritare, protestuesit e udhëhequr nga studentët kërkojnë që autoritetet të mbahen përgjegjëse për këtë incident.
Protestuesit akuzojnë policinë për përdorim të forcës së tepërt gjatë shpërndarjes së tyre, por një gjë e tillë mohohet nga autoritetet dhe vetë policia.