Një stacion misterioz radiofonik rus, i njohur si “radioja e ditës së fundit”, ka dërguar një mesazh të ri pas muajsh heshtjeje, në një kohë kur tensionet ndërkombëtare po rriten ndjeshëm.
Stacioni, i njohur zyrtarisht si UVB-76, daton që nga Lufta e Ftohtë dhe për dekada ka mbetur një enigmë. Shumë kanë spekuluar për funksionin e tij, duke e lidhur madje me arsenalin bërthamor të Kremlinit.
UVB-76 transmeton zakonisht një zhurmë monotone, të ngjashme me një “bip”, gjë që i ka sjellë edhe nofkën “The Buzzer” (Bipuesi). Ky sinjal ndërpritet herë pas here nga mesazhe zanore në rusisht, që përmbajnë kode, emra dhe sekuenca numrash.
Më herët këtë vit, stacioni transmetoi kodin “NZhTI 89905 BLEFOPUF 4097 5573” pak para një telefonate mes Vladimir Putinit dhe Donald Trumpit, e cila më pas u përshkrua si “shumë e mirë”. Vetëm disa orë më vonë, u dëgjua një tjetër kod: “NZhTI 01263 BOLTANKA 4430 9529”, shkruan Daily Mail, transmeton Korrespodenti.
Më 8 shtator, stacioni rifilloi me dy kode të rinj, mes tyre një kod të përsëritur më herët (NZhTI) dhe fjalën “HOTEL”, si dhe disa numra të shpërndarë: 38, 965, 78, 58, 88, 37. Kuptimi i tyre mbetet i panjohur.
Ekspertët kanë dhënë interpretime të ndryshme për funksionin e këtij stacioni. Profesori David Stupples nga City University në Londër tha se nuk e beson që Rusia e përdor këtë radio për ndonjë qëllim të mirë.
“Pothuajse me siguri është qeveria ruse që e përdor këtë stacion. Dhe nëse është kështu, nuk mendoj se është për qëllime paqësore,” tha Stupples.
Në të njëjtën linjë, radio-monitori Ary Boender, që drejton faqen Numbers Oddities, tha se ekzistojnë disa teori për qëllimin e kësaj radioje.
“Disa thonë se është një lloj mekanizmi i epokës sovjetike që aktivizon automatikisht një sulm bërthamor ndaj Perëndimit nëse ndalon së transmetuari. Të tjerë mendojnë se është një sinjal për UFO-t ose një pajisje për kontrollin e mendjes. Madje është thënë edhe se ishte stacion ndihmës për centralin bërthamor të Çernobilit,” tha Boender.
Edhe presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar shpesh për pasojat e një përplasjeje të mundshme.
“Nëse, Zoti mos e dhëntë, ndodh një shkëmbim goditjesh, të gjithë duhet të kuptojnë se Rusia ka sistem paralajmërimi të hershëm për raketat. Edhe SHBA-ja ka. Europa jo. Ata janë pothuajse të pambrojtur në këtë aspekt,” ka thënë Putin gjatë një fjale në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut.
Ai shtoi se Rusia nuk ka nevojë për përdorimin e armëve bërthamore, pasi ushtria e saj ka përparësi të madhe në armë konvencionale.
Tani pyetja që shtrohet është: a është “radioja e ditës së fundit” thjesht një relike e Luftës së Ftohtë, apo një sinjal ogurzi në kohë tensioni? Për momentin, askush nuk e di me siguri. /Korrespodenti