Anija luftarake amerikane USS Mount Whitney ka mbërritur për vizitën e saj të parë në Shqipëri, duke u ndalur në portin e Porto Romanos.
Lajmi u bë i ditur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, e cila e cilësoi këtë si një moment historik për marrëdhëniet mes dy vendeve.
‘Sot shënohet ndalesa e parë e një anijeje luftarake amerikane në Porto Romano. Mirëpresim këtë fazë të re në modernizimin ushtarak të Shqipërisë dhe këtë hap të radhës në partneritetin e fortë mes vendeve tona’, shkruan ambasada amerikane në një njoftim në rrjetet sociale.
USS Mount Whitney është anija komanduese dhe kontrolluese e Flotës së 6-të të SHBA-ve, e njohur për rolin e saj strategjik në operacionet ushtarake dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Vizita e saj në Shqipëri shihet si një tregues i rritjes së bashkëpunimit ushtarak dhe të sigurisë mes Tiranës dhe Uashingtonit.