Ukraina godet një nga rafineritë më të mëdha të gjigantit rus të naftës

Dronët ukrainas sulmuan disa objekte ruse të naftës, përfshirë rafinerinë më të madhe të Rosneft në Ryazan dhe një objekt magazinimi nafte në rajonin e Luhanskut.

Lajmi u konfirmua nga Robert “Madyar” Brovdi, komandant i forcave ukrainase të dronëve, shkruan The Kyiv Independent.

“Benzina (në Rusi) po bëhet gjithnjë e më e rrallë, ndërsa gazi dhe nafta po zhduken me shpejtësi”, tha Brovdi.

Banorët e Ryazanit, një qytet i vendosur 180 kilometra në juglindje të Moskës, raportuan për shpërthimet rreth orës 2 të mëngjesit, të ndjekura nga një zjarr i madh që ndriçoi qiellin e natës.

Fotot dhe videot që u përhapën shpejt në internet treguan tym të zi që ngrihej nga rafineria në skajin jugor të qytetit.

Ky impiant, me një kapacitet prej 13.8 milion ton në vit, ishte tashmë në shënjestër të dronëve ukrainas më 2 gusht, kur dy nga tre njësitë kryesore u detyruan të pezullonin operacionet.

Në të njëjtën kohë, në rajonin e Luhanskut, banorët vendas vunë re tym të zi në mbrëmje.

Madyar konfirmoi se dronët ukrainas goditën një objekt magazinimi nafte në rajon, megjithëse shkalla e dëmit nuk dihet ende.

Ndryshe, Ukraina ka shtuar sulmet me rreze të gjatë veprimi ndaj objekteve ruse të energjisë në muajt e fundit, duke synuar rafineritë dhe depot.

Vetëm në gusht, u goditën të paktën 12 rafineri, duke rrëzuar më shumë se 17% të kapacitetit total të rafinimit të naftës në Rusi.

Presidenti rus Vladimir Putin pranoi së fundmi se vendi po përballet me mungesë karburanti.

Si zgjidhje, ai propozoi kalimin në rezervat e qymyrit.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME