Shkencëtarët zbulojnë kur Toka do të përballet me ZHDUKJEN masive të të gjithë gjitarëve, përfshirë edhe njerëzit

Një studim i ri nga ekspertët e Universitetit të Bristol-it paralajmëron se njerëzimi rrezikon të zhduket nga Toka pas rreth 250 milionë vitesh – edhe nëse sot do të ndalej menjëherë përdorimi i qymyrit, naftës dhe gazit. Sipas simulimeve kompjuterike, planeti ynë do të përjetojë një zhdukje masive që do të fshijë të gjithë gjitarët, përfshirë edhe njerëzit.

Studiuesit parashikojnë se çdo formë jete e mbetur në Tokë do të përballet me temperatura ekstreme, nga 40 deri në 70 gradë Celsius. Këto llogaritje nuk përfshijnë ende efektin shtesë të gazrave serrë që lirohen nga aktivitetet njerëzore, prandaj zhdukja mund të ndodhë edhe më shpejt. Një ngjarje e tillë do të ishte zhdukja e parë masive që prej shuarjes së dinosaurëve, rreth 66 milionë vjet më parë.

Në studimin e publikuar në revisten shkencore Nature Geoscience, thuhet se pas 250 milionë vitesh, sipas shkencëtarëve, kontinentet do të bashkohen duke formuar një superkontinent të ri, të quajtur Pangea Ultima. Ai do të ketë formë unaze, me një det të brendshëm në mes – çfarë do të mbetet nga oqeani Atlantik – ndërsa oqeani Paqësor do të mbulojë pjesën më të madhe të sipërfaqes së Tokës. Ky superkontinent do të jetë i nxehtë, i thatë dhe kryesisht i pabanueshëm.

Bashkimi i kontinenteve do të sjellë edhe shpërthime më të shpeshta vullkanike, të cilat do të lirojnë sasi të mëdha dioksidi karboni në atmosferë, duke e ngrohur planetin edhe më shumë. Përveç kësaj, vetë Dielli do të bëhet më i ndritshëm dhe më i nxehtë, duke e përshpejtuar procesin e ngrohjes.

Sipas autorit kryesor të studimit, Dr. Alexander Farnsworth, bashkimi i kontinenteve do të sjellë një përzierje fatale faktorësh që do ta bëjnë Tokën të pabanueshme për gjitarët dhe për njerëzit.

“Superkontinenti i ri do të krijojë një kombinim fatal – ndikimin e kontinentalitetit, një Diell më të nxehtë dhe rritje të CO2 në atmosferë. Kjo do të prodhojë një mjedis armiqësor, pa burime ushqimi dhe uji për gjitarët. Temperaturat mesatare prej 40–50 gradë Celsius, të shoqëruara me lagështi ekstreme, do të jenë të papërballueshme për njerëzit”, thotë Farnsworth.

Studimi tregon se vetëm 8 deri në 16 për qind e tokës do të mbetet e banueshme për gjitarët, por shumica e tyre pritet të zhduken. Edhe njerëzit, nëse ende ekzistojnë atëherë, do të përballen me kushte të pamundura për mbijetesë.

Një mundësi e vetme për të shpëtuar do të ishte ndërtimi i strehimoreve të mbyllura me kushte të kontrolluara, me sisteme të fuqishme klimatizimi dhe objekte për prodhimin e ushqimit. Një alternativë tjetër mund të ishte kolonizimi i planetëve të tjerë, por kjo sot mbetet ende vetëm fantashkencë.

“Gjithçka do të varet nga aftësia jonë për të ikur nga planeti ose për të përdorur teknologji të reja për të menaxhuar klimën,” përfundon Dr. Farnsworth. /Inteligjenca n’3D

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME