Mungesa e këtij minerali mund të jetë shkaktari i Alzheimer-it

Një ekip kërkimor nga Universiteti i Harvardit, ka bërë një zbulim që mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si trajtohet dhe parandalohet sëmundja e Alzheimer-it. Pas një dekade studimesh, shkencëtarët identifikuan mungesën e lithium-it – një mineral natyral i pranishëm në trup – si një faktor të mundshëm shkaktar të kësaj sëmundjeje neurodegjenerative.

Studimi, i botuar në revistën shkencore Nature, tregon se nivelet e ulëta të lithium-it në tru janë një nga ndryshimet e para biologjike që ndodhin gjatë zhvillimit të Alzheimer-it, shruan Inteligjenca n’3D.

Sipas autorëve të studimit, kjo mungesë jo vetëm që mund të kontribuojë në shfaqjen e simptomave, por edhe të përshpejtojë procesin e humbjes së kujtesës dhe dëmtimit të qelizave nervore.

Eksperimentet në minj: Rikthim i kujtesës pas trajtimit

Në testet laboratorike, studiuesit e Universitetit të Harvardit përdorën një formë të veçantë suplementi – lithium orotate – e cila arriti të ndalte dëmtimin e mëtejshëm të neuroneve dhe të rikthente funksionet e kujtesës tek minjtë me shenja të avancuara të Alzheimer-it.

Ky rezultat u përshkrua nga njëri prej autorëve si “diçka që nuk e kemi parë kurrë më parë” në kërkimet për këtë sëmundje. Efekti i rigjenerimit u arrit edhe në fazat e avancuara të saj tek modelet e kafshëve.

Mekanizmi: Si humbet lithium-i në tru

Shkencëtarët zbuluan gjithashtu se pllakat e amyloidit – të cilat janë një tipar kryesor i Alzheimer-it – kanë aftësinë të “kapin” dhe bllokojnë lithium-in, duke e bërë të papërdorshëm për qelizat nervore. Kjo përkeqëson më tej mungesën e mineralit dhe mund të krijojë një cikël të mbyllur që nxit përparimin e sëmundjes.

Sipas ekipit kërkimor, kjo mund të shpjegojë pse simptomat e Alzheimer-it përshpejtohen sapo fillon akumulimi i pllakave në tru.

Mundësia për diagnostikim të hershëm dhe parandalim

Zbulimi hap rrugën për zhvillimin e testeve të hershme diagnostikuese, që mund të matin nivelet e lithium-it në gjak ose tru për të identifikuar individët me rrezik të lartë për Alzheimer përpara se të shfaqen simptomat.

Nëse suplementimi me lithium në doza të kontrolluara konfirmohet i sigurt dhe efektiv tek njerëzit, kjo mund të shndërrohet në një terapi parandaluese ose rikthimore për miliona pacientë në mbarë botën.

Hapat e ardhshëm: Prova klinike te njerëzit

Megjithëse rezultatet në laborator janë shumë premtuese, shkencëtarët e Universitetit të Harvardit theksojnë se nevojiten prova klinike afatgjata për të vlerësuar sigurinë dhe efektivitetin e kësaj terapie tek njerëzit. Lithium përdoret prej vitesh në trajtimin e disa çrregullimeve mendore, por doza, formulimi dhe kohëzgjatja e trajtimit për Alzheimer-in kërkojnë studim të kujdesshëm. /Inteligjenca n’3D

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here