Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur keqardhje të thellë për vrasjen e trefishtë që ndodhi sot në Gjilan, duke përcjellë ngushëllimet e saj për familjet e viktimave. Në reagimin zyrtar, ajo ka kërkuar nga organet e rendit dhe të drejtësisë që të veprojnë urgjentisht për të kapur autorët dhe për t’i sjellë ata para drejtësisë.
“Është për keqardhje që vitin e kaluar të njëjtit ishin lënë të lirë nga institucionet e drejtësisë, pas një kohe të shkurtër në paraburgim, përkundër veprave të rënda për të cilat akuzoheshin”, thuhet në deklaratë.
Presidentja ka reaguar edhe ndaj përdorimit të fotografive të saj me të dyshuarin kryesor, Mefail Shkodrën, duke e quajtur këtë një manipulim të qëllimshëm për keqinformim. Ajo ka sqaruar se fotografia është realizuar gjatë një aktiviteti publik të Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, figura politike dhe qytetarë të tjerë.
“Brenda vitit, Presidentja del në fotografi me mijëra qytetarë e pjesëmarrës në aktivitete publike, të cilët as nuk i njeh e as nuk mund ta dijë se cila është veprimtaria e tyre. Prandaj, aludimet për kinse ‘shoqërim’ janë asgjë tjetër pos shpifje”, thuhet në reagim.
Osmani i ka bërë sërish thirrje institucioneve të rendit dhe drejtësisë që të zbardhin sa më shpejt rastin dhe të sigurojnë që autori i krimit të marrë dënimin e merituar.