residenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, priti të premten në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan, dhe presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ku u nënshkrua një marrëveshje historike paqeje që i jep fund një konflikti prej gati katër dekadash, transmeton Korrespodenti.
Marrëveshja parashikon rihapjen e rrugëve kryesore të transportit dhe krijon mundësi për SHBA-në të shfrytëzojë rënien e ndikimit të Rusisë në rajon.
Sipas marrëveshjes, do të krijohet një korridor i madh tranziti, i quajtur “Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar”, që do të lidhë Azerbajxhanin me enklavën e tij autonome Nakhçivan. Dy zonat ndahen nga një copë territori armen me gjerësi 32 kilometra, çështje e cila për vite të tëra kishte bllokuar procesin e bisedimeve të paqes.
Marrëveshja shënon një ndryshim të rëndësishëm gjeopolitik për rajonin e Kaukazit Jugor. Për dekada, Rusia kishte luajtur rolin e ndërmjetësit mes dy vendeve ish-republika sovjetike, duke shfrytëzuar konfliktin për të rritur ndikimin e saj në këtë zonë strategjike. Por pas nisjes së pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, ndikimi rus ka rënë ndjeshëm, duke i hapur rrugë një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.
Nënshkrimi i këtij dokumenti hap një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, duke ofruar perspektivë për stabilitet dhe zhvillim ekonomik në një rajon që prej dekadash ka qenë arenë tensionesh dhe konfliktit të armatosur. /Korrespodenti