Vrasësja e dënuar për tri vrasje, Erin Patterson, dyshohet se ka tentuar vazhdimisht të helmojë bashkëshortin e saj, përfshirë edhe me biskota për të cilat ka pretenduar se ia kishte pjekur vajza e tyre, iu tha gjykatës.
Gruaja australiane muajin e kaluar u shpall fajtore për vrasjen e tre të afërmve, dhe tentativën për vrasje të një tjetri, duke përdorur një fileto Uellington të mbushur me kërpudha helmuese.
50-vjeçarja fillimisht ishte akuzuar për tri akuza për tentativë vrasjeje ndaj ish-bashkëshortit të saj, Simon Patterson, por këto akuza u pushuan pa shpjegim në prag të gjyqit të saj.
Detajet e pretendimeve, të cilat Patterson i mohoi, ishin mbajtur të fshehura për të mbrojtur procesin gjyqësor, por tani mund të bëhen publike për herë të parë.
Tre persona vdiqën në spital në ditët pas drekës së 29 korrikut 2023: ish-vjehrrit e Patterson-it, Don Patterson, 70 vjeç, dhe Gail Patterson, 70 vjeçe, si dhe motra e Gail-it, Heather Wilkinson, 66 vjeçe.
Pastori lokal, Ian Wilkinson, bashkëshorti i Heather-it, u shërua pas disa javësh trajtimi në spital.
Në seancat e gjata paraprake vitin e kaluar, z. Patterson kishte shpjeguar se dyshonte për një fushatë shumëvjeçare për ta vrarë atë me ushqim të helmuar, përfshirë një episod që e kishte lënë aq të sëmurë, sa kaloi javë të tëra në koma dhe familja e tij u njoftua dy herë të përgatitej për lamtumirën e fundit.
Udhëtimet e kampingut dhe drekat me ushqim të paketuar
Në një moment të qetë gjatë ditëve të para të gjyqit të Pattersonit, ish-bashkëshorti i saj u mbyt nga emocionet ndërsa shpjegonte dhimbjen e tij në një sallë gjyqi pothuajse bosh.
Prindërit e z. Patterson dhe tezja e tij ishin vrarë, dhe xhaxhai i tij kishte qenë pranë vdekjes, pasi kishin ngrënë vaktin helmues të përgatitur nga bashkëshortja e tij. Ai vetë i kishte shpëtuar për pak të njëjtit fat, pasi ishte tërhequr nga ftesa për drekë një ditë më parë.
“Kam shumë për të vajtuar,” i tha ai gjyqtarit, duke qenë në vendin e dëshmitarit ndërsa juria po përgatitej të kthehej nga pushimi.
“Procesi ligjor ka qenë shumë i vështirë… veçanërisht mënyra se si ka ecur për çështjet që lidhen me mua dhe dëshmitë e mia për këtë, ose mosdëshmitë tani, besoj. Po rri këtu, gjysmë i menduar për gjërat që nuk më lejohet të them dhe… në fakt nuk e kuptoj pse. Më duket e çuditshme, por ja që është kështu.”
Ajo për të cilën nuk i lejohej të fliste, “elefanti në dhomë” gjatë gjithë gjyqit, ishte pretendimi i tij se Patterson kishte tentuar ta helmonte shumë kohë para drekës fatale që shkatërroi familjen e tij më 29 korrik 2023.
Z. Patterson kishte dhënë dëshmi gjatë seancave paraprake, të cilat janë pjesë standarde e procesit gjyqësor dhe u japin mundësi gjyqtarëve të përcaktojnë se cilat prova pranohen, pra, lejohen të paraqiten para jurisë.
Meqenëse akuzat që lidhen me z. Patterson ishin hequr, dëshmitë e tij për këtë çështje u përjashtuan nga të dhënat e paraqitura në gjyqin 9-javor të këtij viti.
Por ai kishte shpjeguar se, sipas dijenisë së tij, gjithçka kishte filluar me një enë plastike me makarona penne bolonjeze në nëntor 2021.
Z. Patterson dhe bashkëshortja e tij ishin ndarë që në vitin 2015,megjithëse ende nuk janë divorcuar, dhe ai mendonte se kishin mbetur në marrëdhënie të mira.
Nën pyetjen e avokatit të Patterson, z. Patterson konfirmoi se nuk kishte vënë re “asgjë të dyshimtë” në marrëdhënien e tyre në atë kohë: “Nëse me ‘asgjë të dyshimtë’ nënkuptoni ndonjë gjë që do të më bënte të mendoja se ajo do të përpiqej të më vriste, po, është e saktë.”
Por pas ngrënies së atij vakti, ai filloi të kishte të vjella dhe diarre, dhe kaloi një natë në spital.
“Më shkoi ndër mend se u sëmura nga ushqimi i Erinit. Nuk i kushtova shumë rëndësi,” tha ai në deklaratën e tij për policinë, sipas gazetës The Age.
Muaj më vonë, në maj 2022, ai u sëmur përsëri pasi kishte ngrënë një kërri pule të përgatitur nga Patterson gjatë një udhëtimi kampingu në malet dhe zonat alpine të rajonit High Country të Viktorias.
“Ndërsa Erin po përgatiste ushqimin, unë po ndizja zjarrin, kështu që nuk e pashë si e përgatiti,” i tha ai gjykatës.
Brenda disa ditësh, ai përfundoi në koma në një spital të Melburnit, dhe një pjesë e madhe e zorrës së tij u hoq kirurgjikisht për t’i shpëtuar jetën.
“Familjes sime iu kërkua të vinte të më thoshte lamtumirë dy herë, pasi nuk pritej të mbijetoja,” shkroi ai në një postim në Facebook në vitin 2022, të raportuar nga The South Gippsland Sentinel Times dy vite më parë.
Në shtator 2022, gjatë një vizite në një bregdet të izoluar e mahnitës të Viktorias, ai u sëmur rëndë përsëri pasi kishte ngrënë një role me perime.
Fillimisht, ai ndjeu të përziera dhe diarre, dëgjoi gjykata, përpara se simptomat të përkeqësoheshin. Filloi të fliste me belbëzim, humbi gradualisht kontrollin e muskujve dhe filloi të “kishte konvulsione”.
“Në fund të rrugës për në spital, e vetmja gjë që mund të lëvizja ishte qafa, gjuha dhe buzët,” i tha ai gjykatës.
Ditari i ushqimit dhe takimi në kishëz
Një mik familjar që ishte mjek, Christopher Ford, i sugjeroi z. Patterson të fillonte një ditar ushqimor që të mund të kuptonin çfarë po e sëmurte.
“Nuk mund ta kuptoja pse këto gjëra vazhdonin t’i ndodhnin atij në një mënyrë që praktikisht i kishte sjellë tri përvoja pranë vdekjes,” i tha dr. Fordi gjykatës.
Z. Patterson u kthye për ta takuar në shkurt 2023, pesë muaj para drekës fatale, duke zbuluar se kishte ardhur në përfundimin se ishte ish-bashkëshortja e tij ajo që fshihej pas këtyre rasteve.
Ai i tregoi dr. Fordit për një grup biskotash, gjoja të pjekura nga vajza e tij, për të cilat kishte frikë se ishin të helmuara, ndoshta me kimikate antixhel, nga bashkëshortja e tij, e cila e kishte telefonuar disa herë për të pyetur nëse kishte ngrënë ndonjërën.
Gjykata dëgjoi se hetuesit kurrë nuk e zbuluan çfarë kishte ushqyer Patterson në mënyrë të dyshimtë, megjithëse dyshonin se helm për minj mund të ishte përdorur të paktën një herë, dhe kishin gjetur një skedar në kompjuterin e Patterson-it me informacion mbi atë helm.
Pas këtij zbulimi, z. Patterson ndryshoi autorizimin e tij mjekësor, duke e hequr bashkëshorten, dhe ua tregoi në heshtje disa anëtarëve të familjes frikën e tij.
Gjykata dëgjoi se babai i tij, Don Patterson, reagoi me diplomaci, por motra e tij, Anna Terrington, dëshmoi në seancat paraprake se kishte besuar vëllanë e saj dhe ishte bërë e shqetësuar kur mësoi për drekën që Patterson kishte planifikuar.
Znj. Terrington i telefonoi prindërve natën para për t’i paralajmëruar.
“Babi tha: ‘Jo, do të jemi mirë’,” tregoi ajo.
Pesë ditë më vonë, ajo u mblodh në një kishëz të spitalit të Melburnit bashkë me vëllain e saj dhe të afërm të tjerë të shqetësuar. Në fund të korridorit, duke u përkeqësuar në shtretërit e tyre, ishin Don dhe Gail Patterson-i dhe Heather dhe Ian Wilkinson-i.
Ruth Dubois, vajza e familjes Wilkinson, dëshmoi në seancat paraprake se Simon Patterson i kishte mbledhur ata për t’u treguar se dyshonte që sëmundjet e tij të mëparshme të rënda ishin vepër e bashkëshortes së tij.
“[Ai tha] se kishte ndaluar së ngrëni ushqim që Erin kishte përgatitur, sepse dyshonte se Erin po e manipulonte,” tregoi ajo.
“Ai ishte shumë i penduar që nuk i kishte treguar familjes sonë para kësaj… por mendonte se ishte i vetmi person që ajo po shënjestronte, dhe se ata do të ishin të sigurt.”
Prova të çuditshme
U zbulua gjithashtu se Patterson kishte vizituar një vend grumbullimi mbeturinash në orët e pasdites së drekës në shtëpinë e saj, megjithëse nuk dihet çfarë ka hedhur aty.
Juria dëgjoi se ajo kishte shkuar në të njëjtin vend grumbullimi ditë pas drekës për të hedhur një dehidratues ushqimi që ishte përdorur për të përgatitur vaktin, por gjyqtari vendosi që ata të mos informoheshin për vizitën e parë.
Prova të tjera të çuditshme, të cilat në fund u lanë jashtë gjyqit, përfshinin një postim të vitit 2020 në një forum ndihme për helme në Facebook, ku Patterson pretendonte se macja e saj kishte ngrënë disa kërpudha nën një pemë dhe kishte vjellë, së bashku me foto të kërpudhave.
Patterson kurrë nuk kishte pasur një mace, thanë prokurorët, duke argumentuar se postimi ishte provë e një interesi afatgjatë për vetitë helmuese të kërpudhave.
Të premten, gjyqtari Christopher Beale caktoi datën 25 gusht për seancën e dhënies së dënimit, ku të afërmit dhe personat e lidhur me rastin do të kenë mundësi të japin deklarata për ndikimin e viktimës. BBC
