Një çift nga Ohajo ka sjellë në jetë një djalë nga një embrion i ruajtur në ngrirje për më shumë se tri dekada, duke vendosur një rekord botëror në fushën e fertilizimit të asistuar mjekësor (IVF).
Foshnja, Thaddeus Daniel Pierce, lindi të shtunën përmes një procedure IVF, ndërsa embrioni ishte formuar në vitin 1994 dhe kishte qëndruar i ngrirë për 30 vjet — më shumë se çdo rast i dokumentuar më parë.
Rasti ka tërhequr vëmendjen e komunitetit shkencor për shkak të jetëgjatësisë së embrionit dhe suksesit të lindjes. Deri më tani, rekordi mbahej nga dy binjakë të lindur në vitin 2022 nga embrione të ngrira në vitin 1992.
Çifti Lindsey dhe Tim Pierce kishte tentuar për shtatë vite të bëhej me fëmijë. Zgjidhja erdhi përmes adoptimit të një embrioni të formuar në laborator nga materialet gjenetike të Linda Archerd dhe ish-bashkëshortit të saj. Nga katër embrione të krijuara në atë kohë, njëri ishte përdorur për vajzën e tyre, ndërsa tre të tjerët u ruajtën në ngrirje.
Pavarësisht ndarjes nga bashkëshorti, znj. Archerd nuk pranoi që embrionet të asgjësoheshin apo të dhuroheshin anonimisht. Ajo dëshironte që fëmija që do të lindte nga to të kishte një lidhje të njohur biologjike me të dhe vajzën e saj.
Pas më shumë se dy dekadash, Archerd u lidh me një agjenci të specializuar për adoptimin e embrioneve – Nightlight Christian Adoptions – e cila menaxhon programin Snowflakes. Programi i mundëson dhuruesit të përzgjedhë çiftin adoptues sipas kritereve të caktuara si feja, raca dhe kombësia. Ajo kërkoi që embrioni të shkojë tek një çift i martuar, kaukazian, i krishterë dhe banues në Shtetet e Bashkuara.
Çifti Pierce iu përmbajt këtyre kritereve. IVF-ja u realizua në klinikën Rejoice Fertility në Tennessee, e cila ka politikë për të transferuar çdo embrion, pavarësisht moshës apo kushteve.
Znj. Pierce ka theksuar se nuk kishin synim të thyenin ndonjë rekord — dëshira e tyre ishte të bëheshin prindër. Znj. Archerd ndërkohë, edhe pse nuk e ka takuar ende foshnjën, ka vërejtur ngjashmëri me vajzën e saj.
Kujtojmë se fertilizimi i asistuar mjekësor, i njohur si IVF, është një nga ndërhyrjet më të avancuara që u jep mundësinë çifteve infertile të bëhen prindër.
Një shpjegim të detajuar mbi këtë procedurë e jep gjinekologu Dr. Curr Gjocaj, në ligjëratën e tij për “Inteligjenca n’3D”, ku ai e përshkruan hap pas hapi të gjithë procesin, nga marrja e qelizave në trupin e gruas e deri te transferimi i embrionit të zhvilluar në mitër.
Për të kuptuar më saktë se si funksionon fertilizimi i asistuar mjekësor dhe cilat janë hapat që përfshin kjo procedurë, nga diagnoza e infertilitetit e deri te realizimi i IVF-së , të gjitha informacionet i gjeni në ligjëratën e plotë të gjinekologut Dr. Curr Gjocaj, të publikuar në platformën “Inteligjenca n’3D”. Videon mund ta shikoni më poshtë: