Shkruan Atdhe Gjoci
Sot, protesta me gomarë e organizuar nga Arianit Koci para Kuvendit të Kosovës, i cili për të 41-ën herë dështoi të konstituohet, nuk ishte thjesht një akt kritik por një fyerje e rëndë për vetë gomarët. Kjo kafshë fisnike, e përulur dhe e sakrifikuar, u dëmtua padrejtësisht duke u krahasuar me ata që, të zhytur në llucën e luksit dhe interesave klanore, e kanë shkelur besimin e popullit. Këtu, gomari nuk është thjesht një simbol, por një martir i heshtur, i flijuar në altarin e degjenerimit politik.
Gomari është një simbol i gjallë i sakrificës së heshtur dhe përkushtimit të palëkundur. Ai punon pa u ankuar nën pesha të rënda, duke duruar kushte atmosferike si vapën përvëluese të verës apo të ftohtin therës të dimrit dhe gjithmonë në shërbim të pronarit dhe komunitetit.
Ai nuk kërkon lavdi, as pallate luksoze, as privilegje të pamerituara, as vragje folklori të tingëlluara në çifteli e lahutë. Është një kafshë e dëgjuar, e përkushtuar, që me thjeshtësinë dhe këmbënguljen e tij të panegociueshme, siguron mbijetesën dhe mirëqenien e atyre që ju shërben. Legjendat e vjetra arabe e paraqesin gomarin si një “engjëll” mbrojtës, i cili shpëtoi jetën e një udhëtarit të humbur duke e udhëhequr drejt burimit të ujit, apo hyrja modeste e Krishtit në Jeruzalem mbi një gomar, theksojnë rolin e tij si simbol i shpresës, përulësisë dhe shërbimit.
Ai është drejtues i heshtur që tregon rrugën edhe kur njeriu humbet orientimin, duke theksuar vlerën e virtyteve të pastra dhe të “pakorruptueshme”.
Përballë kësaj sakrifice të pafjalë të gomarit, qëndron realiteti brutal i deputetëve të papërgjegjshëm të Kosovës. Këta individë, të zgjedhur për të përfaqësuar popullin, e zhytën Kuvendin në një krizë të thellë, duke e paralizuar atë plot 41 herë. Ky dështim nuk vjen nga paaftësia, por nga një apetit i pangopur për luks, pushtet dhe interesa klanore, duke injoruar plotësisht nevojat e qytetarëve. Përderisa gomari duron stuhitë dhe sakrifikon tërë qenien e tij, si një Sizif i palodhur, për të mirën kolektive, deputetët gjejnë strehë në privilegje dhe shpërdorojnë taksat e qytetarëve për meditje, paga dhe pazare të pista. Ky është ofendimi më i thellë që mund t’i bëhet një kafshe. Krahasimi i gomarëve nuk nxjerr në pah ndonjë të metë të tyren, por thekson dekadencën morale të atyre që duhet të ishin zëri i popullit dhe mbrojtësit e interesit publik.
P.S:
Uroj me zemër që gomarët, me mirësinë dhe durimin e tyre mitik, ta falin Arianitin për këtë maltretim dhe krahasim të pamerituar. Shpresj që ky akt, sado i dhimbshëm për dinjitetin e tyre, të shërbejë si një pasqyrë e qartë për ata që duhet të kuptojnë thelbin e vërtetë të shërbimit për vendin. Le të jetë kjo një thirrje për reflektim mbi virtytet e harruara, të cilat, çuditërisht, mund t’i gjejmë më shpesh te një kafshë modeste sesa në korridoret e pushtetit.