Partia Socialdemokrate (PSD) protestoi të mërkurën kundër kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke hedhur bomba tymuese që krijuan tym të madh të zi pranë një hoteli në Prishtinë, ku besohet se ajo po mbante takim me shoqërinë civile.
Sipas PSD-sw, Policia e Kosovës gjatë protestës i arrestoi gjashtë anëtarë të saj, e cila nuk përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës, përfshirë edhe kreytarin e saj, Dardan Molliqaj.
“Kjo është përpjekje për disiplinim dhe përmirësim imazhi për gjykatën e padrejtë speciale”, shkroi PSD-ja në Facebook.
Protestuesit mbajtën në dorë pankarta me mbishkrimin “UÇK-ja nuk mund të gjykohet”, “UÇK-ja është përpjekja për liri”, dhe “Trendafilova out”, si dhe brohoritën “Poshtë Gjykata Speciale”.
Duke folur para se protesta të përshkallëzonte, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se u mblodhën përballë hotelit për ta kundërshtuar vizitën e Trendafilovës në Kosovë.
“Sa herë që kemi qenë më afër Serbisë dhe marrëveshjeve të këqija me Serbinë, ka pasur përndjekje të UÇK-së. Gjykata e ka në mandat ta ndjekë vetëm UÇK-në, është më e keqe se njëetnike. Ne duhet dhe do ta pengojmë këtë takim. Takimi ka filluar ndërsa ne e vazhdojmë protestën”, tha Molliqaj.
Partia Socialdemokrate ka protestuar kundër Trendafilovës edhe në të kaluarën.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Gjykata e ka selinë në Hagë, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.
Gjykata Speciale i ka dënuar dy pjesëtarë të OVL së UÇK-së, Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin në maj të vitit 2022 për pengim të administrimit të drejtësisë.
Dënimi fillestar për secilin ka qenë 4 vjet e gjysmë burgim, ndërsa pas ankesës në Apel, koha u është zvogëluar në 4 vjet e tre muaj burgim.
Aktualisht në Hagë është duke u zhvilluar gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.