Një rezervist izraelit u vra dhe katër ushtarë u plagosën në incidente të ndara gjatë luftimeve kundër Hamasit në Rripin e Gazës të martën në mbrëmje, njoftoi të mërkurën ushtria izraelite.
Luftimet erdhën përderisa trupat vazhduan të avanconin në Gaza, në një ofensivë të re të ushtrisë izraelite me qëllim të marrjes nën kontroll të 75 për qind të territorit të Gazës, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Ushtari i vrarë u identifikua si Rreshter Master (rezervist) Alon Farkas, 27 vjeç, nga Batalioni 6646 i Brigadës së 646-të të Parashutistëve Rezervistë.
Sipas një hetimi fillestar të ushtrisë izraelite, një palestinez i armatosur me pushkë sulmuese hapi zjarr në drejtim të parashutistëve që po operonin në lagjen Shejaiya të Qytetit Gaza.
I armatosuri i zuri në pritë trupat nga një rrugicë dhe ia doli të arratisej pas sulmit, në të cilin u plagos seriozisht një rezervist tjetër, sipas ushtrisë izraelite.
Në një incident tjetër në qytezën Jabalia të martën në mbrëmje, Hamasi përdori një dron për të hedhur një mjet shpërthyes mbi ushtarë, sipas ushtrisë izraelite.
Nga ky shpërthim pësuan lëndime të ashpërsisë së mesme dy ushtarë të njësisë elite “Yahalom” dhe një oficer i shërbimit Shin Bet pësoi lëndime të lehta.
Një ditë më parë, tre ushtarë izraelitë u vranë në Jabalia, kur automjeti me të cilin po udhëtonin u godit nga një bombë e vendosur në rrugë.
Vdekja e Farkasit të martën e çoi në 425 numrin e përgjithshëm të ushtarëve izraelitë të vrarë gjatë ofensivës tokësore kundër Hamasit dhe në operacione ushtarake përgjatë kufirit të enklavës. Në këtë numër përfshihen dy policë dhe tre kontraktorë civilë të Ministrisë së Mbrojtjes.