Protesta masive në Koaçan pas tragjedisë së rëndë: Sulmohen me gurë lokalet

Tragjedia e rëndë në qytetin e Koçanit, ku 59 persona humbën jetën dhe mbi 150 të tjerë u plagosën si pasojë e një zjarri masiv në klubin e natës “Pulse”, ka shkaktuar zemërim të madh në opinionin publik maqedonas. Qytetarët e Koçanit zhvilluan këtë të hënë një protestë masive, duke kërkuar dënimin e personave përgjegjës.

Qytetarët shprehën pakënaqësinë ndaj autoriteteve shtetërore për lejimin e funksionimit të një lokali nate që nuk plotësonte kushtet e sigurisë.

Mijëra protestues, kryesisht të rinj, u mblodhën në rrugët e qytetit duke shprehur revoltën e tyre ndaj institucioneve përgjegjëse. Demonstruesit sulmuan me gurë disa lokale nate dhe klube të tjera në qytet.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme, Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli 7 ditë zie kombëtare për të nderuar viktimat e tragjedisë. Gjithashtu, ajo urdhëroi Inspektoratin Shtetëror të Tregut të kryejë kontrolle të jashtëzakonshme në të gjitha objektet e hotelerisë, duke përfshirë klubet e natës dhe diskotekat, për të verifikuar nëse ato plotësojnë kushtet e sigurisë.

Sipas hetimeve fillestare, zjarri u shkaktua nga spërkatës të përdorur për efekte vizuale skenike, të cilët ndezën çatinë e përbërë nga druri. Më vonë u konfirmua se klubi “Pulse” funksiononte me një licencë të falsifikuar dhe se nuk kishte sisteme të duhura të sigurisë kundër zjarrit.

Pronari i klubit, i cili tentoi të largohej nga vendi, u arrestua së bashku me 19 persona të tjerë, përfshirë ish-zyrtarë shtetërorë që dyshohet se kanë lejuar funksionimin e paligjshëm të lokalit.

Kryeministri Hristijan Mickoski ka reaguar ashpër ndaj ngjarjes, duke e cilësuar atë si një “vrasje masive” të shkaktuar nga korrupsioni dhe neglizhenca institucionale. “Këtu nuk ka politikë, të gjithë do të përgjigjen. Nëse dikush mendon se mund të shpëtojë duke luajtur kartën etnike, e ka gabim. Nuk do të ketë mëshirë për përgjegjësit,” deklaroi ai.

Ngjarja e rëndë në Koçan ka tronditur mbarë opinionin publik dhe ka nxitur reagime të shumta mbi gjendjen e sigurisë në vend. Ndërkohë, familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar të gjithë përgjegjësit e kësaj tragjedie.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here