Fituesi i zgjedhjeve të së dielës në Gjermani, konservatori Friedrich Merz, ka thënë se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, “mund ta vizitojë” vendin e tij pavarësisht nga urdhërarresti i lëshuar kundër tij nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) nën dyshimin për krime lufte në lidhje me sulmit izraelit në Gaza.
“Në rast se ai planifikon që ta vizitojë Gjermaninë, unë gjithashtu i kam premtuar vetes se ne do të gjejmë një mënyrë për t’u siguruar që ai të mund ta vizitojë Gjermaninë dhe të largohet përsëri pa u arrestuar” – tha gjermani që pritet të bëhet kancelar i Gjermanisë, raporton gazeta “The Guardian”.
Vitin e kaluar, Netanyahu u bë udhëheqësi i parë i një demokracie të stilit perëndimor që iu lëshua urdhërarrest nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Gjykata lëshoi urdhërarreste edhe për ish-ministrin e Mbrojtjes të Izraelit, Yoav Gallant, dhe për ish-udhëheqësin ushtarak tashmë të vrarë të Hamasit, Mohammed Deif.
Gjykata Ndërkombëtare Penale mbështetet te 124 shtetet anëtare të Statutit të Romës, me të cilin është themeluar ajo, për ta bërë ekzekutimin e urdhërarresteve.
Shtetet anëtare janë të obliguara që të arrestojnë individë që janë në kërkim nga GjNP-ja dhe që shkelin në territoret e tyre dhe, ndonëse shtetet anëtare nuk i respektojnë gjithmonë urdhërarrestet e GjNP-së, kjo do të thotë se të akuzuarit do të duhet ta matin veten nëse duan që të rrezikojnë e të udhëtojnë në territoret e tyre.