Vendet e Bashkimit Evropian duhet të kompensojnë deficitin e tyre madhor me Shtetet e Bashkuara duke blerë në shkallë të gjerë naftën dhe gazin amerikan.Paralajmërimi është bërë nga presidenti i zgjedhur Donald Trump, i cili përmes një postimi në rrjetin e tij “Truth Social” ka deklaruar se, në rast të kundërt do të aplikojë një valë tarifash.
Nga ana e tij, Unioni është përgjigjur duke thënë se BE dhe Shtetet e Bashkuara kanë ekonomi thellësisht të integruara.
Një zëdhënës nga Brukseli ka deklaruar se, blloku është i gatshëm të diskutojë me Trump mundësitë e përforcimit të bashkëpunimit, përfshirë në sektorin energjetik.“Aktualisht ka një nivel të lartë përputhshmërie në marrëdhëniet tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara”, ka thënë zëdhënësi.
Pak ditë më parë, presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lgarde paralajmëroi se ndryshimi i politikave tregtare nga SHBA do të prekin padyshim ekonominë e BE-së.
Në një konferencë shtypi në Vilnius, ajo theksoi se banka do të vazhdojë të shkurtojë normat e interesit, por mbetej e shqetësuar për rritjen ekonomike.
Ndërsa inflacioni në Evropë vijon të bjerë drejt objektivit prej 2 për qind, Lagarde sqaroi se tensionet me administratën e re amerikane mund të çojnë në rritje të çmimeve të energjisë dhe të mallrave.