Bashkimi Evropian ka dënuar me shprehjen më të ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në “Ibër Lepenci” në Zubin-Potok.
“Është një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të Kosovës“, thuhet në reagimin e BE-së.
Sipas një njoftimi zyrtat, BE-ja bën të ditur se u ka ofruar mbështetje autoriteteve të Kosovës dhe vazhdon të koordinojë hapat e ardhshëm me partnerët përkatës, duke përfshirë edhe KFOR-in në nivel lokal.
“Misioni civil i BE-së për sundimin e ligjit EULEX po ofron ndihmë për autoritetet e Kosovës në përputhje me mandatin e tij.
Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjithë ata në mbarë Kosovën që janë prekur nga sulmi. Këto mesazhe solidariteti dhe mbështetje ia kam përcjellë drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti pasditen e sotme.
Veprimi kriminal i kryer në Zubin-Potok duhet të hetohet dhe autorët e tij të sillen para drejtësisë. Në këtë aspekt, BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës dhe do të vazhdojnë të ndjekin nga afër zhvillimet“, thuhet tutje në njoftim.