E shpallur fituese e Nobelit në letërsi të enjten, shkrimtarja koreano jugore Han Kang, është takuar me lexuesit shqiptarë përmes romanit “Vegjetariania”, botuar nga Onufri në vitin 2019. Botuesi Bujar Hudhri, njëherësh përkthyes i veprës nga rusishtja, tregon si e zgjodhi për botim.
“Sigurisht duke qenë botuesi i shkrimtarit më të mirë shqiptar, kam synuar që nga letërsia e huaj të sjell më të mirët. Ne e morëm këtë autore se u vlerësua me çmimin ‘Man Booker Prize’. Dhe e përktheva sepse doja të dija cka është një vegjetariane, se ime bijë është vegjetariane dhe doja ta kuptoja më mirë”, tha Hudhri.
E vlerësuar për prozën e saj intensive poetike, që përballet me traumat historike dhe ekspozon brishtësinë e jetës njerëzore, Kang, në këtë roman trajton tabutë dhe dhunën por duke dhënë mesazhe paqeje.
“Vetë autorja është vegjetariane, ajo në moshën 12-vjeçare gjen një foto album të protestave të përgjakshme me regjimin, kafka të thyera, njerëz të përgjakur dhe vendos të bëhet vegjetariane që atë ditë. Ajo bën pyetje të tilla si: pse njerëzit janë kaq të ashpër, pse derdhin gjak, pse janë kaq të dhunshëm”, tha botuesi.
Vepra u përkthye nga rusishtja, pasi versioni anglisht ka pasur kritika të shumta mbi pasaktësitë e frazave dhe kuptimeve të përcjella. Kang, vjen nga familje shkrimtarësh, ku vëllai dhe i ati lëvrojnë letërsinë. /Fatmira Nikolli-Balkanweb