Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë një status në profilin e tij në Facebook në të cilin ka denoncuar politikën e partisë në pushtet pas zhvillimeve të fundit me anë të një retorike më të ashpër se asnjëherë.
Abdixhiku ka thënë që “investimi më i madh i Serbisë në Kosovë” ishte krijimi i bindjes se Kosova mund të ecë përpara pa aleatët ndërkombëtarë.
“Ky investim ka prekur figura me ndikim në pushtet siç ka prekur dhe analistë të pushtetit që në vazhdimësi ushqejnë këtë bindje,” – thotë Abdixhiku.
Atë që po ndodh në debatin tonë publik, ku po thuhet dhe kërkohet që Kosova të ecë e vetme përmes një qasjeje që po cilësohet si sovraniste, Abdixhiku e quan “fitore të Serbisë”.
“As në ëndrrat më të mira të tyre, nuk është menduar që Kosova do të normalizojë distancimin nga aleatët tanë kaq lehtë e kaq shpejtë. As në ëndrrat më të mira të Serbisë nuk është pritur ky përfundim i Kosovës me shtetet që i kanë dhënë dhe lirinë, dhe demokracinë dhe pavarësinë.” – ka thënë z. Abdixhiku, që gjatë ditës së djeshme ishte në takim me kryeministrin e Kosovës.
“Koha për refuzim dhe përballje të kësaj influence në vendimmarrje shtetërore e në diskurs publik. Nuk guxojmë një grup mjeranësh të na sjellin në këtë pozitë.” – ka vazhduar më tej lideri i opozitës, duke thënë se ta lësh Kosovën pa aleatë përbën akt tradhtie.
Pse këto fjalë tash?
Kjo retorikë e ashpërsuar e z. Abdixhiku ndaj pushtetit vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur “shqetësimin dhe zhgënjimin” e tyre me Qeverinë Kurti për mos-shtyrjen e afatit për targa.
Ky vendim i Qeverisë së Kosovës që të mos dëgjojë kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë (ishte kërkesë personale e Sekretarit Blinken, sipas diplomatit Gabriel Escobar) ka çuar drejt tensioneve të reja në veri të Kosovës.
Zyrtarët serbë janë dorëhequr masivisht nga pozitat që mbanin në institucionet e Kosovës.
Në anën tjetër, kryeministri i vendit me anë të një konference për medie është shprehur se çështja kishte të bënte me planin franko-gjerman i cili nuk ishte në favor të Serbisë.
Sipas kryeminsitrit Kurti, Serbia po provonte të “maskonte refuzimin” e saj.
Por, Kurti nuk ka treguar pse nuk ka arritur që ta shtyjë vendimin për targat sipas kërkesës së partnerëve ndërkombëtarë për të shmangur tensionet dhe për të shmangur pengimin e bisedimeve për planin në fjalë.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, Departamenti amerikan i Shtetit me anë të zëdhënësit Ned Price lëshoi disa fjalë të tjera për Kosovën.
“Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë detyrimet e nënshkruara në negociatat e lehtësuara nga Brukseli. Vetëm në këtë mënyrë shmanget përshkallëzimi,” – u shpreh ai.
Statusi i plotë i z. Abdixhiku:
Investimi më i madh i Serbisë në Kosovë ka qenë krijimi i bindjes se vendi ynë duhet të ecë pa aleatë; në veçanti pa koordinim me ShBA-të. Ky investim ka prekur figura me ndikim në pushtet siç ka prekur dhe analistë të pushtetit që në vazhdimësi ushqejnë këtë bindje.
Kush do ta kishte menduar një fitore të tillë të Serbisë?! As në ëndrrat më të mira të tyre, nuk është menduar që Kosova do të normalizojë distancimin nga aleatët tanë kaq lehtë e kaq shpejtë. As në ëndrrat më të mira të Serbisë nuk është pritur ky përfundim i Kosovës me shtetet që i kanë dhënë dhe lirinë, dhe demokracinë dhe pavarësinë.
Koha për refuzim dhe përballje të kësaj influence në vendimmarrje shtetërore e në diskurs publik. Nuk guxojmë një grup mjeranësh të na sjellin në këtë pozitë.
Ta lësh Kosovën pa aleatë, është tradhëti.
Kërkesa për ecje me ShBA është akt patriotik.