Të ecësh rrugëve të Prishtinës ishte të ecje në një vend krejtësisht tjetër. Kështu deklaroi ish-gazetari britanik i BBC-së, David Loyn, në një intervistë ekskluzive në emisionin CONTEXT në ATV.
Ai tha se Kosova gjatë vitit 1998 ishte vërtet e mjerë dhe ishte e qartë se populli po përjetonte represion.
“Unë erdha këtu në dimër dhe qëndrova në hotelin e emëruar gabimisht “Grand” (i madh) me ushqim të tmerrshëm dhe në atë kohë aty ekzistonte një persekutim pasiv të them ashtu i gazetarëve, me raste edhe aktiv meqë një ditë kishim dalë herët në mëngjes dhe të gjitha veturat që ne gazetarët i përdornim ishin dëmtuar. Por, problemi me të cilin ballafaqoheshim ne si gazetarë ndërkombëtarë dhe këtë e kam kuptuar shpejt, nuk ishin asgjë nuk krahasoheshin me problemet me të cilat përballej popullsia shqiptare e cila në atë kohë deri në vitin 1999 jetonte në një botë paralele. Një prej raporteve që kishim bërë ishte ajo që trajtonte sistemin paralel të shëndetësisë, mjekët që nuk paguheshin, lindja e fëmijëve në katet e larta të shtëpive private, andaj them ishte vend shumë i mjerë”, tha Loyn.
Ndërsa tani pas 25 viteve, ai thotë se njerëzit këtu janë duke jetuar jetën normale të evropianëve.
“Kur ecja nëpër këto rrugë të gjera në Prishtinë me zona të industrializuara dhe shumë njerëz të rinj të cilët mbase as nuk e mbajnë në mend luftën por mund të shkojnë në Prekaz për të parë atë monument të jashtëzakonshëm që është krijuar ku unë qëndrova gjatë kësaj jave por përndryshe janë duke jetuar jetën normale të evropianëve dhe kam biseduar me të rinjtë këtu të cilët thoshin se duan të jetojnë si amerikanë apo britanikë, gjermanë e francezë dhe ky është aspirimi i të rinjve në një vend që është krejtësisht ndryshe. Por më pas shkova në Drenicë ku drekuam me kryetarin Ramiz Lladrovci, vëllain e të cilit e kisha intervistuar para shumë vjetësh, dhe pashë që edhe politikbërja ka ndryshuar shumë, ishte thjesht vend ndryshe”, u shpreh Loyn. /atvlive.tv