Të gjithëve na ka ndodhur të ndihemi të lodhur, por çfarë kuptojmë me lodhje? Lodhja është simptomë që arrijmë ta përshkruajmë dhe ta ndjejmë. Nuk është sëmundje në vetvete.
Lodhja është një term që përdorim për të shpjeguar një gjendje mungese energjie, një ndjesi përgjumjeje dhe qënien inaktive e të pamotivuar. Përgjumja mund të jetë shkak i lodhjes, por nuk janë e njëjta gjë.
Kemi të bëjmë me dy tipe lodhjeje:
1. Fizike: Përfshin dobësi muskulare. Individi shfaq vështirësi në kryerjen e aktiviteteve normale ditore si, p.sh.: ngjitja e shkallëve.
2. Mendore: Individi ka vështirësi të përqendrohet dhe të kryejë detyrat që i ngarkohen. Ai mund të ndihet i përgjumur ose mund të ketë vështirësi në qëndrimin zgjuar gjatë punës.
Si mund ta trajtojmë?
Nuk ekziston një terapi specifike për trajtimin e lodhjes.
Zakonisht trajtohen shkaktarët e saj dhe, në mungesë të një patologjie të përcaktuar nga ana e mjekut, një stil jetese i shëndetshëm është thelbësor për t’u ndjerë në formë.
Aktiviteti fizik është i rëndësishëm i kombinuar dhe me një dietë të shëndetshme, e cila duhet të jetë e varfër në karbohidrate të rafinuar dhe e pasur me fruta perime, në mënyrë që të plotësohen nevojat e organizmit me vitaminat e mineralet e duhura.
Në raste specifike mund të përdorim edhe suplemente me vitamina e minerale.
vitaminat e grupit B ndihmojnë në transformimit e ushqimeve në energji për trupin,
vitaminat A dhe C kanë efekte antioksidante,
magnezi dhe kaliumi janë të rëndësishëm për kontraktimet muskulare dhe metabolizmin.
Kombinimi i gjumit të mirë, konsumimit të sasisë së duhur të ujit dhe reduktimit të stresit, ankthit, depresionit përbën zgjidhje për ndjesinë e lodhjes.