Atasheu britanik në Stamboll, Robert Walsh, në ambasadën e drejtuar nga lordi Strang ford në vitin 1822, rrëfen në librin e tij “Narrative of a jorney from Constantinople to England”, detajet e prerjes së kokës së Ali Pashait dhe të ekspozimit në Stamboll. Ai arriti të blinte edhe shpalljen e vendosur mbi kokën e prerë të Aliut (Jafta), faksimilen e së cilës dhe përkthimin po e sjellim edhe këtu. Natyrisht që propaganda turke e dënonte Aliun si figurë mizore. Ironike, pasi mizoritë e Perandorisë Otomane as nuk krahasoheshin me ato të Aliut. Të njëjtin vrer vollën mbi të edhe shumë diplomatë e misionarë të huaj europianë. Por ai, me jetën e tij gjëmuese dhe me vdekjen që i dha akoma më shumë famë, u ngrit mbi bashkëkohësit. Me vizion më të avancuar se koha, ai ishte i pari që synonte shkëputjen nga Perandoria Otomane, duke u bërë ushta në brinjë e asaj fuqie në rënie. Aliu ka qenë shpeshherë i pavlerësuar siç duhet, sa duhet dhe asnjëherë i studiuar në thellësi në kontekstin e studimeve strategjike. Kjo gjë, mbase dhe për shkak të mungesës së theksuar të informacionit arkivor në shqip, mungesë e cila, falë një pune titanike (thuajse e pabesueshme për t’u kryer nga një individ i vetëm), po përmbushet në mënyrë sistematike nga studiuesi i mirënjohur, Irakli Koçollari. Edhe në lidhje me vdekjen e Aliut, Irakli Koçollari, ka zbuluar e botuar në “Vaje për Ali Tepelenën”, një poemë historike me autor anonim (por që studiuesi Koçollari e evidenton si Haxhi Shehretin), që ishte dëshmitar okular i vrasjes së Ali Pashait. Robert Walsh, bazuar edhe në raportet e kohës, arrin në përfundimin se Aliu ra pre e dinakërisë së kundërshtarit të tij. Mirëpo, ishte e kundërta. Këtë e dëshmojnë kujtimet e kryediplomatit austriak, Clemens Metternich, i konsideruar si diplomati më i mirë ose ndër më të mirët në kohëra. Këtij njeriu, nga më të pushtetshmit e Europës, i shkruan Ali Pasha dhe i kërkon si ndihmë që ai t’i dërgojë atij një “Kushtetutë-bërës”. Në kujtimet e tij, Metternich-u marrjen e kërkesës së Ali Pashës e shënon me datën 3 mars 1822. Fakti që nuk shënohet asgjë në lidhje me vdekjen e Aliut, por përmendet veç rënia e Janinës, lë të kuptohet se kjo letër është trajtuar para vdekjes së Aliut. Redaktorët e botimit të kujtimeve të Metternich-ut vendosin si shënim sqarues në fund të faqes datën e vdekjes së Aliut. Pra, përgjigjja e Metternich-ut për Aliun u nis para prerjes së kokës së këtij të fundit. Kjo përpjekje e Ali Pashës për ndërtimin e një Kushtetute Perëndimore, që do të përdorej për vilajetin e tij do të ishte praktikisht shkëputja e tij nga Porta e Lartë dhe krijimi i një Shqipërie të pavarur, me ligje që nuk i ngjanin aspak atyre të Portës. Kjo luftë pavarësie u përjetësua e shkruar edhe në gur-varrin ku prehet koka e tij. Duhet një analizë e thellë se përse fuqive europiane nuk u interesonte kjo gjë. Luanit dinak të Janinës, në ditët e fundit duket se fati dhe aleatët i kthyen krahët – i njëjti “fat” e të njëjtët aleatë që u kthyen krahët shqiptarëve, edhe kur erdhi puna e ndarjes së kufijve. Në vijim jepen detajet e botuara nga Walsh. VARRI I ALI PASHAIT DHE BIJVE TË TIJ “Pasi kisha soditur këto gjëra e më shumë, që nga maja e kodrinës, zbrita dhe vazhduam më tej, drejt Silivri Kapousi ose Portës së Silivrisë, prej nga do të zbrisnim drejt e brenda vendit. Menjëherë në krah të kundërt të kësaj porte, mbi një ledh të ulët që ngrihej anash udhës, gjendeshin pesë varre guri turke, të radhitura në një rresht, në mënyrë të dukshme e duke krijuar kështu, objekte që binin në sy në varrezën e vogël që shihej në atë vend. Ishin prej mermeri të bardhë dhe me çallma që u qëndronin sipër, nëpërmjet të cilave turqit dallonin gjithmonë sërën dhe rëndësinë e të vdekurit. Mora vesh se ishin monumentet e Ali Pashës, tre djemve të tij dhe nipit të tij. Mënyra e vdekjes së Aliut është raportuar gjithfarë dhe rrëfimet që kam parë janë në përgjithësi të pasakta. Në vijim, detajeve të kësaj ngjarjeje dhe të asaj ç’ka pason atë, mund t’u zihet besë me siguri, përderisa ato janë siguruar pjesërisht nga relacioni i Reis Efendiut dhe pjesërisht nga dëshmitarët okularë, që njiheshin personalisht me faktet. Aliu kishte vendosur në Stamboll një mysliman shqiptar, i cili ishte një agjent shumë i besuar i tij, për të drejtuar punët e tij me Portën dhe për t’i dhënë atij informacion sekret mbi gjithçka ndodhte. Gjithsesi, duke pasur dyshime se ky e kishte përdorur influencën që kishte, në dëm të tij dhe se kishte tradhtuar besimin e tij, ai kish vendosur që ta hiqte qafe. Personat e radhës, të cilët ai i dërgoi në Stamboll me mesazhe për Portën, kishin urdhër që ta vrisnin atë njeri para se ata të linin Stambollin. Dy shqiptarë morën urdhër për ta kryer. Ata shkuan së pari, me të mbërritur, te Reis Efendiu, me mesazhet e tyre nga Aliu – përgjigje të marra për t’i çuar tek ai dhe në kthimin e tyre prej qytetit, i bënë zë viktimës te shtëpia e tij. Duke qenë se lajmëtarët e Aliut kishin bërë gjithnjë kështu, nuk kishte asgjë të çuditshme në këtë që po bënin sërish. Edhe pse kështu, agjenti i tij, duke pasur dyshime, mbase nga parandjenja e tij apo mbase nga ndonjë informacion, në vend që të vinte te porta për të komunikuar me ta, ashtu siç kishte bërë zakonisht, ai u shfaq te dritarja e sipërme dhe i pyeti nëse kishin ndonjë letër për të. Lajmëtarët u shtirën sikur po kërkonin për to, por në vend të letrave ata nxorën koburet dhe i shtinë që të dy prej nga poshtë. U plagos, por nuk u vra dhe shqiptarët u larguan menjëherë me galop nëpër qytet. Duke ecur me këtë mënyrë në largim gjithnjë tartarët që kishin letra, ata nuk e patën të mundimshme që të kalonin pa u hetuar dhe pa u penguar. Ndërkohë, i plagosuri i çoi një lajmërim Portës për atë që kishte ndodhur dhe kalorësia tartare u shpërnda në të gjitha drejtimet për të arrestuar të arratisurit. Ata u zunë në Rodosto, rreth nëntëdhjetë milje larg nga Stambolli, ku njëri prej tyre u mbërthye, u soll pas dhe u ekzekutua, por tjetri, pas një rezistence të furishme, ia doli të arrinte tek Aliu dhe qëndroi i lidhur me të besnikërisht, deri në fund. Ky ishte rasti i drejtpërdrejtë i shkarkimit të Aliut. Porta shprehu krupën më të madhe ndaj kësaj tentative vrasjeje të një njeriu nën mbrojtjen e saj, mu brenda në rezidencën e Kalifit të Besimplotit. U nxor kështu një ferman, i cili e shkarkonte Aliun nga detyra e qeverisjes së sanxhakut apo vilajetit dhe qeverisja e atij u akordohej armiqve të tij. Ai refuzoi që t’i bindej fermanit dhe për njëfarë kohe u diskutua në Portë se çfarë duhej bërë me të. DETAJE NGA VDEKJA E TIJ Bazuar në një sugjerim të Halet Efendiut, asokohe në kulmin e influencës së tij, u dërgua një ushtri kundër tij. Pas disa peripecish, ai u zmbraps nga Hurshit Pasha, i cili komandonte këtë ushtri, aq sa u detyrua që të strehohej në një pjesë të fortesës së Janinës, me rreth pesëdhjetë burra të cilët i kishin mbetur besnikë atij. Vendi që ai kishte zgjedhur për tërheqjen e fundit ishte një ndërtim i ndarë në tri pjesë apo kate, ku në katin e kreut qëndronte Aliu dhe suita e tij, në të dytin ndodheshin thesaret e tij, të cilat supozohej se ishin të pallogaritshme dhe kati i dyshemesë ishte mbushur me barut dhe lëndë të tjera ndezëse, gati për të shpërthyer në ndonjë moment rreziku. Hurshiti u informua mbi rrethinat e kësaj fortese e mbi sistemimet që ishin bërë dhe dërgoi sekretarin e tij tek Aliu, për t’i propozuar atij se ai duhet të dorëzohej vetë, të dorëzonte kështjellën që kishte kapur dhe të jepte thesaret e tij te ky nëpunës, si e vetmja mënyrë e arsyeshme sjelljeje që mund të kryente, në kulmin e gjendjes ku ishte katandisur. Ai tha se kishte dëgjuar që Aliu kishte ndër mend t’i vinte flakën barutit dhe të hidhte në erë veten bashkë me thesaret e tij, në rast se kërkesat e tij nuk pranoheshin, por që ky kërcënim ishte bosh dhe nëse Aliu nuk vendoste menjëherë, ai do të vinte vetë për t’i vënë zjarrin. Ky komunikim i prerë, duket se e kishte tmerruar plakun, i cili deri në ato momente kishte qëndruar i papërkulur në vendimin e tij për të mos u gjunjëzuar. Por dashuria e jetës triumfoi, kur ajo nuk kishte më vlerë për të dhe ai u përgjigj se duke parë situatën e pashpresë të gjendjes së tij, do të dorëzohej vetë, do të dorëzonte kalanë dhe thesaret e tij, po qe se atij do t’i falej jeta. Sekretari e shpuri këtë mesazh te Hurshiti dhe u kthye brenda një kohe të shkurtër bashkë me një përgjigje: plotësimi i dëshirës së tij varej ekskluzivisht nga Sulltani. Ai duhet të ishte i sigurt se për këtë qëllim do të viheshin në lëvizje të gjitha ofiqet e tij, por në momentin e caktuar shpresa e tij e vetme për t’ia dalë mbanë, varej nga dorëzimi paraprak prej Aliut, i kalasë së tij dhe i asaj çka ajo mbante brenda, në duart e tij (të Hurshitit). Aliu duhej të tërhiqej në një ishull të vogël në liqenin pranë qytetit, e të priste atje mbërritjen e urdhrave të Sulltanit. Aliu lypi kohë për t’u menduar mbi këtë propozim dhe pas këshillimesh të ndryshme, u ra dakord gjerësisht që ai dhe trupa e tij e vogël, duhet të braktisnin kalanë dhe të tërhiqeshin në ishull, por që ai të linte pas një njeri tek i cili kishte besim, për të vepruar sipas rrethanave. Nëse rikthimi i lajmëtarit të dërguar te Porta, do t’i sillte atij dhe shoqëruesve të tij garancinë e shpëtimit, çdo gjë do të përfundonte me dorëzim, nëse jo, të hidhej në erë. Personi që ai la pas dhe që ndërmori kryerjen e këtij urdhri të jashtëzakonshëm ishte një njeri që Aliu e dinte se do ta bënte këtë gjë. Emri i tij ishte Ahmet Kuçuku ose Ahmeti i Vogël. Trupi i tij ishte drobitur nga një plagë që kishte marrë në këmbë dhe ai ishte aq i çalë saqë ishte thuajse i pafuqishëm. Por, ai njihej si një burrë me një trimëri të çartur, i cili nuk do të hezitonte për ta hedhur veten në erë me qëllim që të zbatonte çdo komandë që i ishte besuar. Është një nga anomalitë e karakterit njerëzor, që ndonjë veprim i caktuar mund të bjerë ndesh me gjithë bindjen dhe eksperiencën e jetës. Aliu vetë ishte më dyshuesi, sepse ishte më dinaku dhe më i pabesi i njerëzve. Ai dinte për më tepër, se duhet të bënte marrëveshje me një armik po aq dinak dhe të pabesë sa edhe ai vetë, i cili nuk humbiste kurrë nëpërmjet ndonjë detyrim bese apo nderi, asnjë shans, për të kaluar në avantazh ndaj ndonjë kundërshtari, edhe nëse ky i fundit nuk do kishte bërë atë provokim siç kishte bërë ai vetë (Aliu), e kështu që nuk do të ishte krimineli i njohur e i pashpresë, siç Aliu e njihte veten. Tani, me besimin e thjeshtë ndaj një premtimi të mjegullt, ai u vetëdorëzua dhe në moshën e tij të thyer, ai i vuri një çmim ekstrem një jete, të cilën e kishte ekspozuar me mijëra herë me indiferencën më të pafrikë. Ai u prit në ishull nga sekretari dhe një grup burrash i njëjtë në numër me palën e tij. Ata i bënë të gjitha nderimet që i takonin, sipas rangut që kishte, si Pasha e si Vezir dhe pasi u gostit për disa ditë nga Hurshiti, me një përkujdes dhe dashamirësi të madhe në dukje, dyshimet e zanatçiut të shtirjes, tashmë ishin vënë tërësisht në gjumë dhe ai i çoi një urdhër përkrahësit të tij të betuar që të dorëzonte kalanë që i ishte besuar. Kështu u bë dhe thesaret e baruti u çuan në një vend të sigurt. Aliut, që tashmë po dëfrehej, duhet t’i jetë shfaqur ndonjë frikë që vinte si pasojë e pakujdesisë së tij dhe kërkoi që një prej kapitenëve të tij, në komandë të një trupe të vogël prej njëqind burrash, duhet të pranohej në ishull bashkë me trupat e të qëndronin atje. Kjo u pranua nga Hurshiti, i cili dërgoi menjëherë atje, në të njëjtën kohë, një numër të tillë prej trupave të vet, për t’i mbajtur ata nën kontroll. Pashallarë të ndryshëm, të rangjeve të ulëta, kishin bërë zakon që të kryenin vizita ditore tek Aliu. Në të 31-n ditë të Hënës “Gemazeem-ewiel” (alla-turka) që korrespondon me datën tonë të 5 shkurtit, Guvernatori i Moresë, Muhamed Pasha, bëri gjithashtu një vizitë te ai. Ata zhvilluan së bashku një bisedë të gjatë të një natyre shumë konfidenciale dhe mes tyre duket se u vendos mirëdashje dhe një afrim i ndërsjelltë. Muhamedi e shtrëngoi atë që t’i kërkonte çdo gjë të cilën ai mund t’ia siguronte për rehatinë e tij personale, veçanërisht për artikujt ushqimorë dhe u ofrua që të gjente për të çdo gjë që ai dëshironte, pavarësisht se sa e rrallë dhe e vështirë do të ishte. Qingji konsiderohet një luks i madh mes turqve (myslimanëve), sidomos në këtë stinë dhe është shumë e vështirë që të gjendet, pasi ka një ligj të ashpër i cili e ndalon përdorimin e tij para marsit. Aliu i tha se, këtë do të preferonte më shumë sesa çdo ushqim tjetër dhe menjëherë ky iu premtua nga vizitori i tij, i cili e pyeti atë përsëri nëse kishte diçka tjetër me të cilën ai mund ta kënaqte. Plaku iu përgjigj se kishte edhe një gjë tjetër, të cilën ai ngurronte që t’ia zinte emrin në gojë, pasi korrektësia ndaj besimit fetar e frenonte atë. Por, i shtyrë prej mikut të tij, ai përmendi një lloj të veçantë vere, e cila po ashtu iu premtua menjëherë. Biseda vazhdoi edhe ca më gjatë në terma miqësie të madhe dhe Muhamedi u ngrit për të ikur, me shprehje mirëdashjeje të çiltër në të dy anët. Duke qenë se ata ishin të të njëjtit rang, u ngritën në të njëjtën kohë nga divani ku ishin ulur dhe Pashai i Moresë, teksa po largohej bëri një përkulje dhe një nderim ceremonial. Pashai i Janinës ia ktheu me të njëjtën përkulje të thellë të trupit, por përpara se ai të ngrihej sërish, Muhamedi nxori jataganin e tij nga milli dhe e nguli në shpinën e mikpritësit të tij, me aq forcë sa që ai kaloi tërësisht nëpërmjet zemrës së tij dhe doli në anën e majtë të kraharorit. Aliu ra i vdekur te këmbët e tij dhe vrasësi i tij e la menjëherë dhomën me jataganin e përgjakur në dorë duke lajmëruar ata që ishin rreth e rrotull se ai kishte pushuar së jetuari. Disa ushtarë të Muhamedit hynë në banesë, ndanë kokën nga trupi dhe duke e nxjerrë atë jashtë, e mbajtën lart para shokëve të tyre dhe ushtarëve të Aliut, si kokën e një tradhtari. Duke u gjendur kështu të tradhtuar, ushtarët e Aliut sulmuan menjëherë kundërshtarët e tyre, të drejtuar nga shqiptari i çalë, Ahmet Kuçuku. Ai u vra aty për aty dhe pjesa tjetër u mposht, të cilët duke e parë çdo rezistencë si të pafrytshme, nuk kundërshtuan më, por iu bashkuan thirrjes “Jetë të gjatë Sulltanit dhe Vezirit të tij, Hurshit Pashës!”. E tillë ishte mbyllja e vërtetë e karrierës së Ali Pashës: ai që i kishte tradhtuar sa e sa herë të tjerët, ra viktimë e besimit te tradhtia e mikut të tij, në përputhje të plotë me sensin romak të drejtësisë ndëshkuese, “Ut necis artefices arte perirent sua”. Por rrethanat të cilat e bënë çështjen edhe më të njohur janë se nuk u bë thjesht me aprovim, por nëpërmjet dredhisë së qeverisë turke, e cila u mburr për këtë akt dyfytyrësie dhe besëthyerje në komunikimet e veta publike dhe shpërbleu me nderimet më të larta njeriun që “zbatoi vullnetin e Sovranit të tij.” KOKA E EKSPOZUAR NË NJË TEPSI, NË SARAJE Asokohe në Stamboll flitej poshtë e lartë se Aliu e kishte marrë rrugën për në qytet teksa një “Tartaravan” ose karrocë e mbajtur mbi shtaga, si një karrige që mbahet mbi supe, e varur mes katër mushkash, ishte dërguar në fakt që ta ndeshte rrugës atë. Kur kjo u kthye, solli me vete jo Aliun, por kokën e tij, e cila si zakonisht, do të ekspozohej si koka e një krimineli. Ajo arriti në 23 shkurt, e mbyllur në një kuti dhe në datë 24 ajo u ekspozua në Oborrin e Sarajeve për të gjithë ata që dëshironin ta shihnin. (Nga një burim turk thuhet se koka u transportua e futur e gjitha në mjaltë. Kjo gjë ndalonte prishjen e saj, pasi mjalti është izolues dhe konservues perfekt. Mbetet për t’u verifikuar kjo gjë përmes ndonjë dokumenti a raporti të kohës. A.H). Mora me vete një jeniçer dhe u nisa për atje, për të qenë dëshmitar i një shfaqjeje të një tradite orientale, e cila kishte mbetur e pandryshuar që nga kohët më të hershme. Meqenëse Aliu ishte një Pasha, koka e tij u trajtua me një respekt që i shkonte për shtat sërës së tij. Në vend që të ekspozohej siç bëhej zakonisht, te porta, ajo ishte vendosur në një tepsi/pjatë, mbi një kolonë mermeri të ulët, me portës së parë dhe të dytë të Sarajeve, duke ngjarë njëlloj me kokën e Gjon Pagëzorit në pjatancë. Mbi të, në një distancë të shkurtër, varej një shpallje (Jafta), apo një letër e mbushur me akuzat ndaj tij, si puna e asaj që varej mbi keqbërësit e kryqëzuar dhe krah saj qëndronte një bostanxhi, me një shkop në dorë. Tepsia ishte e rrethuar nga një rreth i vogël njerëzish, të cilët kur unë u afrova, më hapën rrugën dhe bostanxhiu duke e lëvizur tepsinë me shkopin e tij, e rrotulloi në mënyrë që unë të kisha një pamje të qartë të kokës, nga çdo pozicion. Ndërsa njerëzit panë me një seriozitet gjakftohtë, pa shfaqur ndonjë emocion me shumë se ç’do të kishin bërë po të shihnin shtyllën prej mermeri mbi të cilën ajo mbahej. Koka ishte thjesht një skalp, që do të thotë se kafka dhe truri ishin veçuar nga mishi dhe vendi i tyre ishte mbushur me materiale të tjera. Por procesi, në të cilin turqit janë shumë të zotë në kryerje, ishte realizuar me të tillë ustallëk e mjeshtëri, saqë forma e jashtme dhe tiparet ishin aq perfekt e shprehja akoma më e gjallë, sikur koka të mos ishte e shkëputur nga trupi. Fytyra ishte e zbehtë, por e kolme; jo e prishur, por e plotë dhe shprehëse e karakterit. Ajo ishte e gjerë dhe e hijshme, që dukej qartazi se i përkiste një njeriu të rëndë, me një prezencë komanduese. Ajo shfaqte pamje çiltërsie dhe humori të mirë–siç mendoja, nën një pamje të jashtme të këndshme, mbulohej një zemër e egër dhe e pabesë. Maja e kokës ishte tullace, duke shfaqur konturet e plota të një balli të mrekullueshëm të gjerë. Gjithsesi, në majë të kokës, gjendej një xhufkë e madhe flokësh të thinjura që për njëfarë gjatësie vareshin pas, poshtë, sipas mënyrës së shqiptarëve modernë dhe grekëve të vjetër të së njëjtës krahinë, Êáñçêïìüùíôåò Á÷áéïß (Autori këtu, citon Homerin, “akejtë leshragjatë”, si shembull të lashtësisë së modelit. Bëhet fjalë për modelin e lashtë shqiptar të prerjes së flokëve, të quajtur pèrç-model, pellazgjik i kohëve homerike. A.H) Gropa e mjekrës së tij mbante një mjekër leshtore thinj-argjendtë, të mrekullueshme e të pashme, me gjatësi rreth 15 cm. KOKA E ALIUT, PËR PAK NUK PËRFUNDOI NË LONDËR Njerëz të shumtë lexonin shpalljen (Jafta-n) ose shkrimin që qëndronte sipër, vendosur mbi kokën e tij në murin aty pas. I shpreha jeniçerit një dëshirë të fortë për ta pasur atë shpallje kur ajo të mos duhej më. Dhe, meqenëse turqit bëjnë gjithçka për para, i premtova atij një shpërblim të majmë. Ai i rrëfeu dëshirën time bostanxhiut dhe pak ditë më pas, më solli letrën, faksimilja e të cilës gjendet në shtojcën e librit, me një përkthim të fjalëpërfjalshëm. Duke qenë se Aliu në ato kohë kishte bërë goxha bujë në Europë dhe ngacmonte jo pak interesin e anglezëve në veçanti, një tregtar nga Stambolli mendoi se do të ishte një ide e mirë që të blinte kokën dhe tepsinë e t’i çonte ato në Londër për shfaqje. Ky më informoi se kishte ofruar në të vërtetë një shumë të hollash për to. Gjithsesi, koka ishte rezervuar për dikë tjetër dhe për një qëllim e vend më të përshtatshëm. Ndërmjet ortakëve të hershëm të Aliut, ishte njëfarë Sulejman Dervishi, i cili u bë më pas agjenti besnik i tij në disa negociata të rëndësishme. Ata kishin disa mendime të kundërta, për shkak të së cilave Sulejmani braktisi shërbimin e tij, u tërhoq në një teqe dhe veshi rrobën e dervishit. Kur ai dëgjoi për vdekjen e mikut dhe shefit të tij të vjetër, u hidhërua pa masë dhe kur koka e atij u ekspozua, ai e bleu atë nga xhelati publik për një çmim më të lartë se sa ç’ofronte tregtari. SHKRIMI MBI GUR-VARR: PUNOI 50 VJET PËR PAVARËSINË E SHQIPËRISË Më pas, ai mori edhe kokët e tri bijve e të nipit të Aliut, të cilat u prenë në vijim, nën justifikime të ndryshme. Dhe, pasi i kishte futur ato në këtë vend, ai vendosi mbi to gurët e varrit që unë i pashë fiks përballë me Portën Selivria, në mënyrë që cilido që do të vinte atje të mund t’i shihte e të lexonte fatin e tyre. Në gurin e parë gjendet mbishkrimi vijues: “Këtu prehet koka e atij që dikur kishte famën si Ali Pasha Tepelena, Guvernatori i Sanxhakut të Janinës, i cili për më shumë se pesëdhjetë vjet u përpoq që të pavarësonte Shqipërinë”. Pjesa origjinale e shënimit në botimin në anglisht dhe në atë në frëngjisht: “Here lies the head of the once celebrated Tepedelenly Ali Pasha, Governor of the Sangiac of Yanena; who for upwards of fifty years pretended to independence in Albania”; “Cigît la tête du très cèlèbre Tèpèdelenly-Ali-Pacha, gouverneur du sangiac de Janina; qui, pedant i plus de cinquante ans, travailla à l’indèpendance dè l’Albanie”. (Shënim imi, A.H) Në të dytin gjendet vijuesi: “Këtu prehet koka e Veli Pashait, ish-Guvernatori i Trikallasë dhe i biri i Ali Pashait, ish-Guvernator i Janinës, i cili u vra nëpërmjet prerjes së kokës”. Në të tretin: “Këtu prehet koka e Muhtar Pashait, me dy bishta (mënyrë turko-persiane e mongole për të treguar pushtetin, tek otomanët rangu i pashallarëve tregohej nga një deri në tre bishta kali ose ‘tuð’ A.H), ish-komandanti i Arlonias, i biri i Ali Pashait, ish-Guvernator i Janinës, i cili u vra nëpërmjet prerjes së kokës”. Në të katërtin: “Këtu prehet koka e Salih Pashait, me dy bishta, ish-komandanti i Lepantos, i biri i Ali Pashait, Guvernator i Janinës, i cili u vra nëpërmjet prerjes së kokës.” Në të pestin: “Këtu prehet koka e Mehmet Pashait, me dy bishta, ishkomandant i Delvinës, i biri i Veli Pashait, ish-Guvernatori i Trikallasë, i cili u vra nëpërmjet prerjes së kokës.” Të gjithë këta gurë mbanë këtë datë sipër: Gemazeel aheer 1237, që përputhet me datën tonë, shkurt 1822. Veli Pashai, ashtu si i ati, kishte grumbulluar një shumë të madhe parash, të cilën e kishte dërguar në Santa Maura dhe e kishte depozituar në besim të anglezëve për mirëqenien e familjes së tij, kur ai ishte i detyruar që të tërhiqej nga Shqipëria. Pasi mbeti atje për njëfarë kohe, Guvernatori e kuptoi shpejt se hajdutë grekë(kleftes), duke aluduar se një thesar i tillë ishte i depozituar atje nën ruajtjen e një garnizoni aq të vogël, mund të kryenin ndonjë sulm të menjëhershëm dhe ta merrnin me vete, mori si masë sigurie dërgimin e tij në Maltë, me një anije lufte. Nuk mundem t’ju informoj se çfarë u bë me të që nga ai moment. KARAKTERI DHE DHIMBJA E SË SHOQES, VASILIQISË Me gjithë respektin për thesaret e Aliut, të cilat thuhej se ishin të pafund, ato ranë shumë më shpejt se ç’pandehej. Supozohej se një pjesë e mirë e tyre u çua për kryengritësit grekë, me të cilët ai kishte vendosur një komunikim, për t’i mundësuar atyre që të vinin në ndihmë të tij e të thyenin rrethimin e Janinës. Kjo është mënyra të cilën e rrëfeu gruaja Aliut në lidhje me shpenzimet e një pjesë të madhe të tij. Kjo zonjë, zakonisht e quajtur Vasiliqia, ishte e bija e një prifti grek nga Janina (ajo ishte ortodokse shqiptare, paçka se shpesh herë kombësia ngatërrohej me fenë në ato kohë A.H), pas së cilës Aliu ishte shumë i dhënë. Fillimisht u raportua se ajo e tradhtoi atë dhe se kishte tre çifligje ose tri ara që i ishin dhënë si shpërblim. Është e sigurt, se ajo ndihmoi që t’i kthente mendjen atij nga projekti i dëshpëruar për të hedhur në erë veten e tij dhe atë bashkë me thesaret e tij, si dhe ishte ndërmjetësja e komunikimit ndërmjet tij dhe Hurshitit, në këtë rast. Por nuk del që ajo të kishte ndonjë grimë dyshimi për tradhtinë e stisur dhe është e sigurt se ajo nuk përfitoi shpërblim tjetër, përveç faljes së jetës. Më 19 mars, pak kohë pas ekspozimit të kokës së të shoqit, ajo mbërriti në Stamboll në një “araba” ose karrocë turke e tërhequr nga dy qè dhe u dërgua në ruajtje në rezidencën e patriarkut që ishte përgjegjës për sigurinë e saj. Këtu, e pashë pak më pas. Ajo është një grua e shkëlqyer, rreth tridhjetë e pesë vjeç, shumë e hijshme dhe elegante në vetvete. Ajo nuk del kurrë nga banesa e saj, përveçse përmes oborrit, për në kishën e patriarkut, të cilën ajo e viziton rregullisht. Edhe në ato raste, ajo është e mbuluar me vello. Ka mbetur në një gjendje të tillë varfërie sa që është propozuar një dhurim për mbajtjen e saj dhe unë aplikova për këtë qëllim. Vëllai i saj në këtë kohë ishte i mbyllur në burgun Bostanxhi Bashi e në një gjendje akoma më të madhe varfërie. Nuk dua të them se kjo është një provë pafajësie për të, pasi marrja e një shpërblimi në raste të tilla, në Turqi, nuk është provë se ai nuk është premtuar dhe fituar; por, prej karakterit të saj, në të gjitha rastet e njohura, ajo ishte e drejtë dhe e dashur. Ajo ishte një shoqe plotësisht besnike e Aliut, pavarësisht nga kontrasti i moshës së tyre dhe kishte një influencë të fuqishme mbi të, cilën ajo e përdori gjithnjë në shërbim e në të mirë të njerëzve të tjerë. (Rev. Robert Walsh, LL.D, M.R.I.A; “Narrative of a jorney from Constantinople to England”(sec. edit.); F.Ëestley and A.H. Davis, London 1828; ff.52-69) Jafta (shpallja) mbi kokën e Ali Pashait në Stamboll Shtojca Nr. 2. Përkthim i shpalljes (Yafta), ose shkrimit, të vendosur mbi kokën e Ali Pashës së Janinës, e cila ishte ekspozuar në Oborrin e Sarajeve, Stamboll, më 23 shkurt 1822: “Koka e ekspozuar këtu, është ajo e një tradhtari të religjionit (i pafè), i njohur nën emrin Ali Pashë Tepelena. Dihet mirë, se gjatë tridhjetë apo dyzetë viteve të fundit, ky Ali Pashë Tepelena, është mbuluar me favore nga Porta, e cila i besoi atij qeverisjen e disa provincave e krahinave. Ai, bijtë e tij dhe ata të lidhur me ta, kanë përfituar të mira të shumta nga Sulltani. Pavarësisht nga kjo, duke mos shfaqur në asnjë mënyrë mirënjohje, ai ka kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e Portës së Lartë, duke përdorur çdo lloj pabesie dhe tradhtie për të shtypur popullsinë që ai qeveriste. Asnjë histori, e asnjë kohe, nuk shfaq një shembull të tillë perversiteti si ai. Akte tradhtie dhe mizorie si ato që ka kryer ai, nuk janë parë e dëgjuar. Gjithnjë nevrik dhe i furishëm, kudo që kishte një trazirë ai mori pjesë në të – herë haptas, herë fshehtas; gjithashtu duke e nxitur atë me para, ose me veprime nën rrogoz. I nënshtruar ndaj një ambicieje të fajshme, ai nuk ishte i kënaqur veç me provincat që i ishin besuar, por uzurpoi qeverisjen e disa krahinave fqinje, në të cilat solli rrëmujë. Ai goditi jetët e një sërë Rajash, të cilët janë një rezervë e shenjtë e vendosur në duart tona nga Zoti i Gjithëpushtetshëm: të tjerë akoma, ai i lëndoi në nderin e tyre dhe u zhvati të mirat. Me pak fjalë, ai rrënoi familje të tëra. Kështu u bë jo veç në Shqipëri, por edhe në krahina të tjera mbi të cilat ai shtriu dominimin e tij, të tilla si, Jeni Sheri (Larisa), Manastiri dhe Saripoel. Dhuna dhe mizoritë e padëgjuara të Ali Pashait, detyruan banorët e Shqipërisë dhe të provincave fqinje që të lënë vendin. Porta e Lartë e informuar për tiraninë e tij, i paraqiti atij në kohë të ndryshme kërkesat më të forta mbi nevojën e ndryshimit të sjelljes së tij. Por, duke mos ua vënë aspak veshin këtyre këshillave të dobishme, Ali Pasha mbrojti izolimin e tij dhe duke mos ruajtur më asnjë cak, madje duke u shtyrë nga guximi i tij deri aty sa të qëllonte me armë në Stamboll (rezidenca e Kalifit dhe qendra e sigurisë) mbi disa persona që ishin kundër sjelljes së tij e që kishin ardhur të kërkonin azil në kryeqytet. Ky dhunim i qartë i të gjitha ligjeve, hyjnore e njerëzore, duke e bërë dënimin e Ali Pashës të domosdoshëm, solli shkarkimin e tij nga detyra dhe provincat që ai qeveriste iu dhanë vezirëve të tjerë. Pikërisht në këtë moment, ai hodhi tej maskën, shtoi përmasën e revoltës dhe me planin e realizimit të të gjithë projekteve të liga që kishte menduar me kohë, ai e mbyll veten në llogore në qytetin e Janinës, – i fortifikuar që më parë sipas këtij pikëshikimi, – duke menduar me pamaturinë e tij, se ai mund t’i rezistonte fuqisë së Portës, bamirëses së tij. Shpirti i hakmarrjes, i cili mishërohej te Aliu, e shfaqi veten në përmasën e tij maksimale në momentin kur nisi kryengritja greke. Ai u çoi shuma marramendëse të pafeve të Moresë, ashtu si dhe suljotëve, me qëllim që t’i nxiste ata që të ngriheshin kundër myslimanëve. Ky veprim i pabesë, përmbushi kupën e krimeve të tij dhe ligjet e shenjta e siguria e Shtetit, lypnin vdekjen e tij. Hurshit Pasha, Serasqer fitimtar i Rumelisë, i cili e zuri atë rob, zbatoi urdhrin e dhënë për këtë qëllim, nëpërmjet virtytit të Fetfa-së së shenjtë që lexoi dënimin e tij. Në këtë mënyrë, popullsia myslimane u çlirua përgjithnjë nga poshtërsia dhe tirania e tradhtarit Ali Pashë Tepelenasi.” (Rev. Robert Walsh, LL.D, M.R.I.A; “Narrative of a jorney from Constantinople to England”(sec. edit.); F.Ëestley and A.H. Davis, London 1828; ff.429- 431) Ali Pasha i kërkon kryediplomatit Meternik, ndihmë për të formuluar një Kushtetutë Ali Pasha vdiq pak ditë para se të krijonte një Kushtetutë për Shqipërinë Në vijim jepet pjesa e përkthyer nga kujtimet e Metternich-ut në lidhje me kërkesën e Ali Pashait për krijimin e një Kushtetute (marrë nga: Metternich Clemens Wenzel Lothar (Fürst von); “Memoirs of Prince Metternich, 1773-1815, Volume 3”; red. Richard Clemens Lothar Metternich-Winneburg (Fürst von), Alfons Freiherr von Klinkoëström; përk. Alexander Napier; Charles Scribner’s Sons, New York 1881, f.571-572): “Copëza nga letrat private të Metternich-ut. Kërkesa e Ali Pashait” Nr.565. Data 3 mars. “Duhet ta kem përmendur edhe më parë, një kërkesë të shquar që më është bërë. Ali Pasha i Janinës, më dërgoi, “kur ai pa se ky qytet po i ikte nga duart dhe ishte mbërthyer nga një frikë e përditshme se rebelimi i tij ndaj Portës po shkonte drejt fundit”, një korrier të besuar me një letër, në të cilën, plot me lavde të fryra, ai kërkonte që unë t’i dërgoja një “Kushtetutë-bërës”. Duke u angazhuar veç për mirëqenien e popullsisë së tij, ai kishte gjetur se siguria më e madhe për lumturinë e popullsisë së tij, qëndronte te dhurimi i një Kushtetute; se ai ishte i bindur për këtë, por që nuk dinte se çfarë ishte vërtetë një Kushtetutë dhe kësisoj më lutej mua që t’i tregoja ndonjë person me përvojë në këtë drejtim. I dhashë lajmëtarit besnik-një tregtar shqiptar tërësisht i pagdhendur, përgjigjen time për Pashain. Me pak fjalë, ajo përmbante garancinë se unë nuk kisha asnjë “Kushtetutë-bërës” në dispozicion, por meqenëse Ali Pashai nuk e dinte edhe vetë se çfarë ishte një Kushtetutë dhe mu lut për ta këshilluar, iu përgjigja atij, në shenjë mirënjohje për besimin e shprehur ndaj meje, se “Kushtetuta më e mirë për Pashallëkun, do të ishte nënshtrimi ndaj Portës”. Janina ra para se lajmëtari i Pashait të kthehej te ai.* *(Shënim i redaktorit të kujtimeve të Metternich) dihet mirë se Ali Pasha u ekzekutua në 5 shkurt 1822 nga Hurshit Pasha dhe se koka e tij u shpu në Stamboll, gjë që shkaktoi një ngazëllim të madh atje”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
Nga: ALBERT HITOALIAJ