“Nji komb qi lindet ka nevojë për fatosat qi desin. Por fatosat qi desin, nuk kane ç’të bajnë në nji komb, qi i harron dhe i përbuzë“. Kështu do te shprehej drejtuesi i revistës “Hylli i Dritës” At Gjon Shllaku, në numrin 3-4 të kësaj reviste. “Tjetërkund, njerëzit e idealit, në u mbytshin për së gjalli ,nderohen për së dekuni.
Ndër ne ata mbyten dy here; edhe harrohen”. Apostrofime në dukje të thjeshta, parandjenja dhe profeci që tingëlluan deri vonë, si tepër të trishta.
Në mëngjesin e zymtë, të vrenjtur dhe me shi shkodre, të 4 marsit 1946, zemrat e shkodranëve u dridhën nga breshëritë e automatikëve dhe jehonat që vinin nga Zalli i Kirit, vendi i namun ku pushkatoheshin “mëkataret” e kohës së kuqe.
Nën plumbat e skuadrës ekzekutuese ranë njëri pas tjetrit përdhe trupat e 7 të dënuarve me vdekje ndër të cilët, 4 ishin klerikë katolikë. At Gjon Shllaku qe njëri ndër ta. Nuk ishte hera e parë që në të zbardhur të dritës në qytet të dëgjoheshin të shtime të tilla me ushtime të “xanun” si ato që bien në mish njeriu.
Në zakonin e fituar rishtazi pushkatimet e heretikeve bëheshin në orët e para kur njerëzit ishin ende në shtroja. Pas pushkatimit, zakonisht trupat e të vdekurve liheshin ashtu njëri mbi tjetrin, si të ishin thasë plehu, në dispozicion të qytetarëve, për tërë ditën.
“Në muzg të natës ashtu grumbull siç ishin, hidheshin në një gropë të përbashkët, që mbulohej mirë mundësisht të mos mund të dallohej më. Ky qe fati që parandjeu në harresën e tij edhe At Gjon Shllaku. “Ne nesër së bashku edhe me nji koleg temin, shkume kinse për me shëtite, kah vendi i pushkatimit, me qëllim që të vërtetojmë se ku i kishin vorrue. Kurrkund shenjë grope dhe as dheu, të çuem rishtas.