Tech

Testohet me sukses motori i parë ajror në botë me hidrogjen

Kompania ajrore britanike EasyJet dhe kompania inxhinierike Rolls-Royce kryen me sukses testin e parë në botë të motorit modern ajror me hidrogjen.

“Kjo shënon një hap të madh drejt argumentimit se hidrogjeni mund të jetë lëndë djegëse e aviacionit e së ardhmes me zero karbon dhe është një pikë kyçe e dëshmisë në strategjitë e dekarbonizimit nga Rolls-Royce dhe EasyJet”, thuhet në deklaratën e Rolls-Royce.

Testi u zhvillua në një strukturë testimi të ​​Ministrisë së Mbrojtjes në Amesbury, Wiltshire. “Suksesi i këtij testi me hidrogjen është një moment historik emocionues”, tha shefi i teknologjisë së Rolls-Royce, Grazia Vittadini.

Johan Lundgren, shefi ekzekutiv i EasyJet, tha se ky është një sukses i vërtetë i ekipit të partneritetit.

“Jemi të përkushtuar të vazhdojmë të mbështesim këtë hulumtim revolucionar, sepse hidrogjeni ofron mundësi të mëdha për një sërë avionësh, duke përfshirë avionët e madhësisë EasyJet. Ky do të jetë një hap i madh përpara në përmbushjen e sfidës së emetimeve zero deri në vitin 2050”, tha Lundgren.

Sekretari britanik i Shtetit për Biznesin, Energjinë dhe Strategjinë Industriale, Grant Shapps, theksoi se testi “është një demonstrim emocionues se si inovacionet mund të transformojë mënyrën se si jetojmë jetët tona”.