Sporti

Ylli i Liverpoolit: Jemi të lumtur që e kemi Shaqirin, na i ka shtuar cilësitë

Ylli i Liverpoolit, Virgil Van Dijk, e ka lavdëruar bashkëlojtarin e tij me origjinë shqiptare, Xherdan Shaqirin, për paraqitjet e këtij të fundit duke thënë se ata janë të lumtur që e kanë shqiptarin në skuadër pasi që ai ia ka shtuar cilësitë.

Shaqiri e mori vëmendjen e mediave pas ndeshjes mes Liverpoolit dhe Fulhamit, që u zhvillua dje në Anfield dhe përfundoi me rezultat 2-0 për vendasit. Shaqiri e shënoi golin e dytë të ndeshjes me një vollej nga brenda zonës së portierit.

Mesfushori i Kombëtares së Zvicrës u transferua në Liverpoolit gjatë afatit kalimtar të verës nga Stoke City për 13,5 milionë euro, pasi që ish-klubi i tij ra nda Premierliga në Championship, nivelin e dytë të futbollit në Angli.

Ndikimi i Shaqirit në Anfield është duke u rritur dalëngadalë. Kur u zëvendësua nga James Milner në minutën e 81-të të ndeshjes së djeshme, të gjithë tifozët u ngritën në këmbë dhe e duartrokitën atë për shkak të paraqitjes së tij.

“Ai është duke luajtur mirë dhe po punon shumë, si e gjitha pjesa tjetër e skuadrës. Kur atij po i ofrohet mundësia për të luajtur, ai po e bën këtë gjë mjaft mirë. Ai arriti të shënojë sot, por ka qenë shumë i rëndësishëm në të gjitha ndeshjet e fundit dhe kjo është një gjë e mirë për ne”, ka thënë Van Dijk.

“Edhe lojtarët tjerë janë të mirë në gjuajtje të lira. Por, Shaqiri është një lojtar me cilësi të ndryshme dhe ai është gjithmonë shumë i rrezikshëm me këmbën e tij të majtë. Ai është duke luajtur shumë mirë dhe ne jemi të lumtur që e kemi”. /Gazeta Express/


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?