Sporti

Sporti i artë i Kosovës

Kosova është shquar gjithmonë për sukseset e saj në sportet luftarake. Dikur, vendi ynë mburrej me sportin e boksit pasi kishte sportistë të kalibrit botëror si Aziz Salihu, Mehmed Bogujevci, Xhevdet Peci, Nazif Gashi etj, apo edhe Lah Nimani, boksier dhe trajner legjendar.

Pas luftës, stafetën e sporteve më të suksesshme në vend po e mban xhudoja.

Ky sport luftarak, shumë pak i njohur, për shembull, dy dekada më parë, e ka marrë primatin pas medaljeve të njëpasnjëshme të fituara nga garuesit kosovare, posaçërisht ata nga klubi “Ippon” nga Peja.

Xhudoja kosovare e tregoi fuqinë e saj edhe javën e kaluar kur “rrëmbeu” katër medalje në “Abu Dhabi Grand Slam”, një të artë me Nora Gjakovën dhe tri të argjendta përmes Majlinda Kelmendit, Distria Krasniqit e Akil Gjakovës.

Me punën e jashtëzakonshme që po e bën trajneri Driton Kuka, xhudoja po e bën krenare në dekadën e fundit sportin kosovar, por edhe vetë shtetin e Kosovës.

Sportistët e xhudos, madje, janë bërë ambasadorët më të mirë të vendit tonë, të cilin po e promovojnë si është më së miri dhe po bëjnë që atë ta njohë mbarë bota.

Majlinda Kelmendi

Majlinda Kelmendi konsiderohet si sportistja më e suksesshme në histori të Kosovës. E rritur në një lagje të Pejës, Majlinda i mahniti të gjithë me aftësitë e saj duke bërë famë botërore falë shkathtësive fizike, por edhe atyre mendore.

Shpallja kampione botërore për të reja ishte një sinjal se Kosova po e zbulonte një talente të rrallë dhe një sportiste kulminante. Sukseset e saj nuk patën të ndalur.

Ajo u shpall kampione botërore për seniore dy herë, ndërsa kulmin e karrierës e arriti në tentimin e saj të dytë në Olimpiadë (më 2012 e kishte përfaqësuar Shqipërinë), respektivisht në “Rio 2016” kur ajo ia solli Kosovës medaljen e parë në histori dhe atë të artë.

Kelmendi ka fituar edhe medalje të shumta në evenimente më pak të rëndësishme, por mjaft të vlefshme.

Viteve të fundit nuk e kanë lënë rehat lëndimet, por ajo u rikthye furishëm në “Abu Dhabi Grand Slam” ditë më parë, ku e fitoi medaljen e argjendtë.

Vetëm një lëndim në hundë ia mohoi të artën pasi u detyrua ta dorëzonte luftën finale.

Majlinda, e cila garon në kategorinë 52 kilogramë, fitoi 700 pikë olimpike dhe synim i saj është një tjetër medalje olimpike, më 2020 në Tokyo të Japonisë.

Nora Gjakova

Nora Gjakova është një tjetër sportiste e suksesshme e Kosovës, e cila për nga pesha e medaljeve gjendet menjëherë pas Majinda Kelmendit.

Nora e kishte bërë vendin e saj të mburrej me të në vitin 2015, kur e kishte fituar medaljen e bronztë në Lojërat Evropiane të Bakusë në Azerbajxhan.

Kjo ishte medalja e parë dhe e vetme e Kosovës, e cila po debutonte në këtë kompeticion të rëndësishëm. Mirëpo, sukseset e Gjakovës nuk u ndalën.

Ajo fitoi turne të ndryshëm prestigjiozë, ndërsa këtë vit është shpallur kampione e Evropës në kategorinë 57 kilogramë, për ta arritur suksesin më të madh në karrierë.

Ndërkohë, sivjet Nora është shpallur edhe kampione në Lojërat Mesdhetare, në debutimin e Kosovës në këtë eveniment.

Ndërkaq, ajo është futur në mesin e tetë më të mirave në Kampionat Botëror, i cili është mbajtur po ashtu sivjet. Nora ishte pjesëmarrëse edhe në Olimpiadën e Rios, ku megjithatë nuk arriti ndonjë sukses. Prej saj pritet shumë në Olimpiadën e Tokyos, pas dy vjetësh.

Distria Krasniqi

Distria Krasniqi e pati fatin e keq që ishte në një kategori me Majlinda Kelmendin, 52 kilogramë. Ky fakt e kishte lënë jashtë Olimpiadës 2016 pasi vetëm një sportiste ka të drejt pjesëmarrjeje nga një shtet në një kategori të caktuar.

Sidoqoftë, “Disin” nuk e ka penguar kjo që t’i radhiste sukseset e njëpasnjëshme.

Vitin e kaluar, ajo ishte shpallur kampione e Evropës për grupmoshat U-23. Kurse, sivjet shkoi diçka më mirë duke u shpallur nënkampione e Evropës për seniore, një sukses i jashtëzakonshëm për të.

Gjithashtu, Krasniqi është shpallur kampione e Lojërave Mesdhetare sivjet, në pjesëmarrjen e parë të Kosovës në këtë eveniment të rëndësishëm.

Ajo është shpallur edhe kampione ballkanike vitin e kaluar. Distria e ka ndërruar kategorinë dhe tash po garon në 48 kilogramë, ku është stabilizuar mjaft mirë.

Këtë e konfirmon më së miri medalja e argjendtë e fituar në “Abu Dhabi Grand Slam”. Edhe Distria ka potencial dhe gjasa reale për ta siguruar pjesëmarrjen në “Tokyo 2020”.

Akil Gjakova

Akil Gjakova është “hasreti” i sukseseve të xhudos kosovare. Xhudisti pejan po ashtu e ka shkruar emrin e tij në histori të këtij sporti me sukseset që i ka arritur ndër vite.

Vite më parë ai ishte shpallur kampion i Evropës për kadetë (U-18) dhe prej asaj kohe sukseset për të nuk kanë të ndalur.

Ai ka shkëlqyer në turne të ndryshëm, përfshirë këtu ata në Paris, Abu Dhabi, Zagreb etj.

Kurse, vitin e kaluar është shpallur nënkampion i Evropës për kadetë (U-23) në kategorinë 73 kilogramë, që njëherësh ishte suksesi më i madh në karrierë për të.

Njëjtë si Nora e Distria, edhe Akili e ka fituar medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare, që janë mbajtur sivjet. Edhe Gjakova ka gjasa të mira të kualifikohet për në Olimpiadën e Tokyos.

Erza Muminoviq

Xhudoja kosovare është një “fabrikë” talentesh. Katër sportistët e lartpërmendur janë më të suksesshmit deri tash, këtu nuk ka kurrfarë diskutimi. Mirëpo, nga Peja çdo ditë po dalin talente të reja.

Njëra prej tyre është edhe Erza Muminoviq, e cila sivjet ka shpërthyer dhe shkëlqyer duke u shpallur kampione e Evropës për kadetë U-18 në kategorinë 44 kilogramë.

Erza nuk u ndal me kaq pasi ia zbardhi fytyrën Kosovës duke ia sjell vendit tonë medaljen e parë dhe të vetme deri tash në histori nga Lojërat Olimpike për të Rinj, që u mbajtën javë më parë në Buenos Aires të Argjentinës, për ta fitur të bronztën.

Me Erzën, xhudoja kosovare mund të jetë e qetë, pasi e ka në dorë një sportiste me një të ardhme të ndritshme të sigurt.

Loriana Kuka

Loriana Kuka është sportistja më e veçantë që e ka Kosova sot. Derisa të gjithë sportistët kosovarë ëndërrojnë që ta vazhdojnë karrierën jashtë vendit, xhudistja pejane e la luksin e Zvicrës, vend në të cilin ishte rritur, për t’u transferuar në Kosovë.

Loriana, e cila është mbesa e trajnerit Driton Kuka, synon të jetë e suksesshme duke ushtruar me xhaxhain e saj.

Dhe, frytet e para kanë nisur të vërehen pasi ajo është shpallur kampione ballkanike vitin e kaluar dhe ndërkohë ka fituar medalje edhe në evenimente tjera. Sivjet, Loriana e fitoi medaljen e argjendtë në Lojërat Mesdhetare “Tarragon 2018”.

Ajo nuk e ka fshehur dëshirën që një ditë ta përfaqësojë Kosovën në Lojëra Olimpike dhe Loriana po punon fort në këtë drejtim.

Driton Kuka, arkitekti i sukseseve

Prapa krejt sukseseve të xhudistëve të Kosovës fshihet një njeri. Ai është Driton Kuka, njëri prej trajnerëve më të suksesshëm në botë në sportin e xhudos.

Kuka, dikur edhe vetë xhudist me potencial për pjesëmarrje në Olimpiadë është njeriu më i lumtur në botë për sukseset që po i arrijnë garuesit e tij.

Ai ndihet krenar me ta, pasi po ia shpërblejnë në maksimum mundin. Dritoni është një punëtor i palodhshëm dhe i pangopur. Ai dëshiron gjithmonë që garuesit e tij të fitojnë.

Tash ai po mendon për Olimpiadën 2020.

“Ekipin e ëndrrave e kemi krijuar, do t’i kemi 4-5 norma olimpike në ‘Tokyo 2020’.

Nora, Disi e Akili por së shpejti edhe Loriana me Kampionen Olimpike, Majlindën drejt ‘Tokyo 2020’!”, ka shkruar Kuka në rrjetet sociale.

Derisa e ka xhudon “gjallë”, Kosova mund të rrijë e qetë! /Pista.News


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?