Sporti

Presidenti i FIFA’s uron kryetarin Ademi për shpalljen e Ballkanit kampion në Superligën e Kosovës

Shtëpia më e madhe e futbollit në botë, FIFA, i ka kushtuar vëmendje fituesit të titullit të kampionit në BKT Superligën e Kosovës, FC Ballkani.

Përmes një telegram urimi drejtuar kryetarit të FFK’së, Agim Ademi, presidenti i FIFA’s Gianni Infantino, ka përgëzuar FC Ballkanin për kurorëzimin me titull të kampionit për sezonin 2021/22 në BKT Superligën e Kosovës.

“Me kënaqësi të madhe e përgëzoj FC Ballkanin për kurorëzimin me titullin e kampionit për sezonin 2021/22 në Kosovë. Ky titull nuk do të mund të arrihej pa punën e palodhur, pasionin dhe përkushtimin e gjithë ekipit, andaj të gjithë në këtë klub duhet të jenë shumë krenarë. Ju lutemi dërgoni urimet e mia për të gjithë të përfshirë në këtë arritje të madhe. Në emër të gjithë komunitetit të futbollit, shfrytëzoj rastin t’ju falënderoj ju dhe Federatën tuaj për kontributin e dhënë në zhvillimin dhe prosperitetin e futbollit në Kosovë dhe në Evropë”, thuhet në urimin e presidentit të FIFA’s Gianni Infantino drejtuar kryetarit të FFK’së, Agim Ademi.

Kujtojmë ndeshja mes Gjilanit dhe Dritës në kuadër të javës së 33-të në BKT Superligën e Kosovës, e cila përfundoi pa fitues javën e kaluar, ishte e mjaftueshme që FC Ballkani, katër javë para përfundimit të kampionatit ta sigurojë titullin e parë të kampionit në histori të klubit.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?