Sporti

Përfundon takimi Shqipëri – Serbi, ky është rezultati i tmerrshëm!

Irlanda na mundi 14-0, ndërsa Serbia u mjaftua me vetëm 8-0.

22 gola të pësuar në dy ndeshje dhe asnjë i shënuar. Eshtë ky bilanci qesharak i kombëtares U-17 të femrave, që i shtohet humbjes 6-0 të Shqipërisë U-17 të drejtuar nga Xhemal Mustedanagic, përballë Çekisë, vetëm pak ditë më parë, shkruan telesport, përcjell GazetaBlic.

Praktikisht, futbolli shqiptar këtë vit jo vetëm që është në pikiadë, por po merr një rënie të rrezikshme që mund të sjellë pasoja dhe të na rikthejë “para erës tonë”, pra kur në Shqipëri kishim futboll thjesht sepse duhej.

Në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, trajneri i kësaj përfaqësuese, Nevil Dede, ish-futbollist i kombëtares dhe shumë klubeve shqiptare, në prag të kualifikueseve të Euro 2019, që po zhvillohen në Serbi, do të shprehej kështu: “Kemi vlerësuar maksimalisht tre sfidat e këtij grupi eliminator. Skuadra gjatë këtyrë ditëve është fokusuar tek puna taktike dhe shpreh optimizmin tim për një paraqitje pozitive të këtij turneu”.

Një disfatë që nuk njeh kufinj, në të gjitha grupmoshat. Meshkuj apo femra, pak rëndësi ka. Në Shqipëri askush nuk merr përgjegjësitë, ose të paktën, nuk ka guxim të lërë detyrën, sepse ndoshta paratë në fund të muajit janë të ëmbla.

Dhe, nëse për të vjedhur rrogën është diçka që në Shqipëri dinë ta bëjnë mjaft mirë, ajo që nuk kuptohet është pse numri “1” i Federatës nuk merr vendime?! Mos ndoshta i pëlqen të shohë turpe dhe humbje “dinjitoze”, siç prej vitesh i quajmë?

Peshku qelbet nga koka, thotë një fjalë e vjetër. Kështu, duke hedhur sytë te Kombëtarja e Femrave U-17, ajo që bie në sy është se kemi ndërtuar një kombëtare thjesht për të ndjekur modelin e huaj. Kemi një kampionat me 12 skuadra, mungojnë klube si Partizani, Kukësi, Flamurtari, Laçi e kështu me radhë. Zero investime, zero infrastruktura. Luhet ku të mundet! Futbolliste që ndoshta nuk marrin asnjë kacidhe dhe thjesht stërviten pas shkolle si argëtim.

Asnjë strukturë e mirfilltë për të parë të ardhmen me optimizëm. Atëherë, për çfarë i shërben federatës një kombëtare fermash U-17? Kujtojmë që kohë më parë, një skandal i madh do të prekte kombëtaren e femrave që drejtohej nga Altin Rraklli, i cili më pas do të largohej pa lënë gjurmë. Futbolliste të kishin marrë sistematikisht ngacmime seksuale, ndërsa të tjera që duhet të paguanin nga xhepi biletat për të udhëtuar në ndeshjet jashtë.

Seleksionimet, më pas, janë një tjetër mister. Në bazë të çfarë standarti bëhen? Mjafton të mbushet një listë me 19 dhe çdo gjë është në rregull.
Takimi i fundit do të jetë përballë Uellsi, më 28 tetor, por sigurisht që një gol do të ishte arritje… Të paktën që adresa zyrtare e FSHF të shkruajë diçka, sepse ka ngecur te grumbullimi dhe prezantimi i eventit… Ndoshta, 22 gola i lodhin duart të shkruajnë!


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?