Sporti

Për çka po bisedojnë Zidane – Guardiola?

Manchester City e çmontoi Real Madridin në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, me dy fitore të njëjta, 2-1. Mbrëmë, në kthim, “Qytetarët” triumfuan falë dy golave të Gabriel Jesus, çka e bëri të padobishëm golin e Karim Benzemas.

Të bardhët kishin nevojë për të fituar, duke shënuar të paktën dy gola, por dy gabime nga Varane, të shkaktuara nga presioni lart i skuadrës së Guardiolës, e ndëshkuan Real Madridin.

Pas ndeshjes, Guardiola dhe Zidane e përshëndetën njëri-tjetrin me respekt dhe rivalitet. Por, të gjithë u befasuan nga një moment, që kapën kamerat. Me të gjithë lojtarët tashmë në dhomat e zhveshjes, dy trajnerët kaluan disa minuta duke biseduar në fushë. Ekzistojnë shumë spekulime në lidhje me ato për të cilat mund të kenë folur, nëse mund të kenë shkëmbyer edhe pikëpamje taktike për lojën.

Guardiola, në këtë drejtim, nuk dha shumë detaje rreth bisedës: “Unë kam dashur ta uroj Zidane për fitimin e titullit në La Liga. E pyeta për familjen, nuk pati asgjë tjetër të veçantë. Shpresojmë që një ditë të mund të hamë një darkë së bashku dhe të bisedojmë”. Me një fjalë, katalanasi e la derën hapur për një takim të ardhshëm midis dy teknikëve më të suksesshëm sot në futboll.


SHIKO VIDEON