Sporti

Munishi: Mund t’më ngarkoni e t’më shkarkoni, por unë jam Mourinho i Kosovës

Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, e ka krahasuar veten dhe arritjet në futbollin kosovar me trajnerin e famshëm portugez, Jose Mourinho, pas fitores së skuadrës së tij kundër Dritës në Derbin më të madh në vend.

Gjilani i Munishit e mposhti 2:0 Dritën në derbin e Anamoravës të dielën në Stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, duke ia shkaktuar humbjen e parë sezonale rivalit të qytetit, raporton Gazeta Express.

Gerhard Progni dhe Shën Kelmendi shënuan nga një herë në pjesën e dytë në Stadiumin Fadil Vokrri për t’ia siguruar tri pikët e plota Gjilanit ndaj një Drite që luajti me 10 futbollistë rreth gjysmë ore.

Kjo ishte fitorja e parë e Munishit në derbin e Anamoravës në tri ndeshje në karrierën e tij si trajner dhe ai nuk e fshehu gëzimin e madh për triumfin, pas fishkëllimës së fundit të gjyqtarit.

“Kemi luajtur më mirë në ndeshje tjera dhe nuk kemi arritur të fitonim, por kur angazhohesh si sot, arrin rezultat”, tha Munishi pas ndeshjes.

Gjatë festimit të fitores, Munishi e quajti veten “baba” dhe ai u pyet për këtë pas ndeshjes.

“Mua më kanë ngarkuar e shkarkuar e ngarkuar e shkarkuar, por ata nuk më kanë sjellë këtu, më ka sjellë puna këtu. Të jemi të sinqertë tani, unë jam Mourinho i Kosovës”, theksoi Munishi.

Ai shtoi: “Unë jam gjeneratë e paraluftës. Mesazhi ishte për (kritikët) sepse ne kemi pasur presion të rezultateve dhe nuk kemi arritur t’i marrim. Unë kam familje dhe fëmijët më janë rritur, duhet pasur kujdes çfarë shkruajnë gazetat.”

Ish-kampioni i Kosovës me Vushtrrinë e lartësoi Dritën dhe tregoi se cfarë iu kishte thënë lojtarëve të vet para ndeshjes.

“Drita ka ekip të mirë, këtë duhet të pranojmë dhe për ta mposhtur atë duhet ta japim 120. Këtë ua thashë edhe lojtarëve para ndeshjes. Qershia mbi tortë ishte goli i Prognit, ai gol, të cilin vetëm ai di ta bëjë”, nënvizoi ai.

Ky triumf e rikthen skuadrën e Munishit në pjesën e lartë të tabelës dhe vetëm tri pikë larg vendit të parë, Ballkani, që ka 12 pikë pas gjashtë javëve. Drita bie në vendin e tretë me 11 pikë.

Kjo ishte fitorja e parë e Gjilanit pas dy barazimeve dhe një humbjeje në tri ndeshjet e fundit dhe erdhi mu në kohën e duhur për Munishin. /Gazeta Express/


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?