Sporti

Konfirmohet ora kur do të mbahet ndeshja e Florian Markut dhe ukrainasit Prodan

Mbrëmjen e sotme adhuruesit e boksit do të kenë një natë të gjatë me disa ndeshje shumë interesante, në disa kategori si WBA, WBO dhe IBF. Në stadiumin e Tottenham Hotspur në Londër, do të zhvillohen disa ndeshje, ku vëmendja kryesore e gjithë shqiptarëve është te boksieri ynë, Florian Marku.

28-vjeçari do të përballet me ukrainasin Maxim Prodan dhe tanimë janë mësuar edhe oraret e përballjeve. Marku dhe Prodan është dueli i treti në këtë natë të gjatë të boksit, dhe kjo përballje pritet të fillojë nga ora 20:30. Por, çdo gjë varet edhe si kryhen ndeshjet paraprake. Vlen të theksohet se kjo ndeshje është në kuadër të kategorisë “walterwight”, një kategori në mes të asaj të lehtë dhe të mesme.

Ndërkohë dueli kryesor i kësaj mbrëmje padyshim që është ai mes Anthony Joshuas dhe Oleksandr Usyk. Dy boksierët do të ndeshen për titullin e kampionit në peshat e rënda, derisa Joshua mbanë titujt e WBO, WBA dhe IBF.

Dueli mes britanikut dhe ukrainasit është pritur që një kohë të gjatë dhe pritet të jetë spektakolar. Joshua dhe Usyk pritet të dalin në ring rreth orës 23:15 me kohën tonë lokale.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?