Komentatori rus i ‘plas’ serbet, e quan Republikë Kosovën live në transmetim
Gjatë komentimit të ndeshjes mes Kosovës dhe Republikës Çeke, një komentator rus i është referuar “Dardanëve” si “Republika e Kosovës”, përkundër që Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Ekipi kombëtar i Kosovës arriti të sigurojë fitore të rëndësishme, me rezultat 2:1 në ndeshjen kundër Republikës Çeke, e cila u zhvillua sot në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020, raporton Gazeta Express.
Tifozët kosovarë nuk iu gëzuan vetëm rezultatit, por edhe faktit që një komentator rus e quajti Kosovën republikë gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë.
Fitorja e sotshme e “Dardanëve” jo vetëm që e vazhdon ecurinë e ndeshjeve pa disfatë në 15 të tilla, por edhe ia jep Kosovës tri pikë të rëndësishme në ëndrrën për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020.
Nga gjithsej katër ndeshje të zhvilluara deri më tani, Kosova i ka siguruar dy fitore – kundër Çekisë dhe Bullgarisë – dhe dy barazime – kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë.
Kosova do ta vazhdojë ëndrrën për kualifikim në EURO 2020 të martën, kur do të përballet me Anglinë në stadiumin e Southamptonit, “St. Mary’s”.
Megjithatë, Kosova e ka edhe një rrugë të dytë për ta siguruar pjesëmarrjen në Evropian, përmes play-offs të Ligës së Kombeve, ku në gjysmëfinale do të takohet me Maqedoninë, e në finale mund të përballet me Bjellorusinë ose Gjeorgjinë.
LEXO EDHE:
“Kallen” mediat serbe pas fitores historike të Kosovës ndaj Çekisë
Më poshtë ju ftojmë të shikoni videon me te gjitha golat Kosovë – Çeki: 2-1