Sporti

Kampionia europiane që la Zvicrën për ta lartësuar Kosovën

Ëndërr e çdo sportisti kosovar është që një ditë të luajë në një vend më të zhvilluar dhe me kushte më të mira. Një pjesë e vogël e realizojnë këtë dëshirë, e shumë të tjerë jo. Mirëpo, rasti i Loriana Kukës është krejt tjetër, aspak i zakontë!

Vajza nga Peja, e lindur dhe rritur në Zvicër, dy vjet më parë vendosi ta linte luksin që e kishte në shtetin Helvetik, ku thuajse gjithçka është në perfeksion, për ta nxjerrë biletën njëdrejtimëshe dhe për t’u vendosur përfundimisht në Kosovë.

Me këtë veprim, Loriana i la shumë njerëz gojëhapur. Por, tash po del se ajo e ka marrë vendimin më të qëlluar në jetë.

Kokulur dhe punëtore, ajo i përvjeli mëngët dhe e nisi punën me xhaxhain e saj, Driton Kuka, i cili njihet si një ekspert i xhudos që ka nxjerrë kampionë të mëdhenj të këtij sporti, siç është Majlinda Kelmendi.

Dita-ditës, performancat e Lorianës po përmirësoheshin dhe ajo po arrinte suksese në turne të ndryshëm.

Dhe, kulmi arriti fundjavën që shkoi, kur 21 vjeçarja u shpall kampione evropiane për grupmoshat U-23, në Kampionatin Evropian që u mbajt në Hungari.

Xhudistja kosovare triumfoi në kategorinë deri 78 kilogramë duke e mposhtur në finale gjermanen Christina Faber.

Driton Kuka: Loriana erdhi nga Zvicra dhe e bëri krenare familjen tonë

Suksesit të Lorianës i është gëzuar krejt familja Kuka. Trajneri Driton Kuka ka fituar medalje të shumta me garuesit e tij, përfshirë këtu edhe të artën olimpike me Majlindën, por pa dyshim se suksesi i mbesës së saj është më i veçanti në jetë, pasi atij ia hoqi disa merake.

“E veçantë kjo medalje për mua, për familjen Kuka, për vëllanë tim Sylën – që e kam pasur trajner dhe udhërrëfyes në jetë”, ka shkruar Driton Kuka në rrjetet sociale.

Tutje, ai e ka kujtuar faktin se Loriana e kishte lënë Zvicrën për ta përfaqësuar Kosovën dhe se tash ajo ia solli familjes Kuka medaljen e parë evropiane.

“Erdhi para dy vitesh dhe u vendos në Pejë për ta rritur performancën, por edhe për ta përfaqësuar vendin e familjes së saj. Medalja e parë nga një Kampionat Evropian për dikë nga familja jonë. Shumë i lumtur për këtë medalje”, ka shtuar trajneri i suksesshëm kosovar.

Loriana Kuka: Ia vlejti që erdha në Kosovë, synoj medaljen olimpike

Loriana Kuka ndihet e lumtur që po i shpërblehet mundi dhe djersa. Ajo nuk është aspak pishman për vendimin që e kishte marrë për të ardhur në Kosovë.

Pejania nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq pasi zbulon ambiciet e saj të mëdha në vazhdim të karrierës.

“Sigurisht, ia ka vlejt që kam ardhur këtu në Kosovë për të ushtruar. Mendoj se këtu kam bërë hapa përpara në xhudo, por ka vend ende për përmirësime. Synimi im më i madh është të shkoj në Olimpiadë dhe të kthehem nga atje me një medalje. Për atë qëllim dhe objektiv jam duke ushtruar çdo ditë. Ndërkohë, synim imi është që të marr medalje edhe nëpër Kampionate të Evropës dhe të botës për seniore”, ka thënë Loriana.

Edhe pse ende nuk është në nivelin e katër xhudistëve më të mirë që ka Kosova, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi e Akil Gjakova, trajneri Kuka beson se Loriana ka gjasa reale t’ju bashkohet atyre për ta siguruar normën olimpike për pjesëmarrje në Olimpiadën e Tokios në vitin 2020./Pista.News


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?