Sporti

Haliti: Kosova mund të përfitojë nga epërsia psikologjike e Anglisë

Drejtuesi i emisionit sportiv “90Plus”, Adem Haliti, ka thënë se sonte Kosova mund të përfitojë shumë nga vetëbesimi i Anglisë.

“Nëse i krahasojmë arritjet, Kosova ka shënuar arritjen më të madhe në këto tri vitet e fundit, duke lëvizur në ranglistën e FIFA’s nga pozita 210 në pozitën e 127. Në anën tjetër, Anglia historikisht mbanë pozitë në Top 10’she në këtë ranglistë, ku tani gjendet e në pozitën e 4. Ndjenja e epërsisë psikologjike që kanë anglezë mund të jetë shumë profitabile për Kosovën. Për Anglinë, kundërshtar i denjtë mund të jetë Franca, Gjermania, Italia, etj, dhe përballja me Kosovën i bën ata të ndihen shumë më komod. Nga ky komoditet, Kosova mund të përfitojë shumë që të nxjerrë të paktën një pikë, ose edhe mund ta fitojë ndeshjen”, ka thënë Haliti për Korrespodentin.

Sipas tij, është e kuptueshme qe Kosova ka kundërshtarin më të fortë të mundshëm në këto kualifikime siç është Anglia, mirëpo vazhdon ai, kosovarët janë duke kaluar një formë të jashtëzakonshme, poashtu edhe moshën mesatare në ekipë e kanë më të re se anglezët dhe kjo mund të ndikojë në ndonjë rezultat pozitiv.

Haliti thotë se edhe në rast të barazimit, Kosova siguron kualifikimin 110%, por edhe në rast humbje, ende vazhdon t’i ketë gjasat e favorshme për kualifikim në “Euro 2020”.

“Në këto kualifikime për Evropian, Kosova e ka edhe mundësinë e dytë ndaj Maqedonisë në mars të 2020’tës. Kosova tani e ka rastin, nëse nuk i shfrytëzon maksimalisht këto lojë që ende nuk janë luajtur, do të shkonte kohë e gjatë duke kërkuar kampionatin Evropian”, ka thënë Haliti.

Sa i përket cilësisë së futbollistëve, Haliti thotë se edhe pse Kosova nuk ka futbollistë që luajnë në ligat më të forta evropiane, deri më tani ka treguar se me futbollistë që kanë luajtur nëpër liga të para e të dyta në Kosovë, mund t’i konkurrojë futbollistët më të mirë në botë.

“Kur ish trajneri Albert Bunjaki e kishte ftuar Arbër Zenelin në kombëtare, të gjithë e patë kritikuar, por që doli të jetë se kishte pasur të drejtë. Poashtu, Vedat Muruqi,një super lojtar, në përfaqësuesen e Kosovës ishte ftuar nga Besa e Kavajës, ndërsa sot po tregon se është futbollist i klasit evropian. Në futboll vlerësohet shumë forma aktuale e lojtarëve, e jo çmimi i tyre. Duke u bazuar në këtë, kam besim se mund të arrijmë rezultat pozitiv”, vlerësoi Haliti.

Kujtojmë se Ekipi kombëtar i Kosovës do ta vazhdojë rrugëtimin drejt Kampionatin Evropian 2020 me ndeshjen kualifikuese kundër Anglisë, e cila zhvillohet sonte në orën 20:45 në stadiumin “St. Mary’s” në Southampton të Anglisë. /Korrespodenti